AKTUALITET, 12 Nëntor 2020, 23:41

Presidenca e BE-së ia shtyn konferencën Shqipërisë dhe Maqedonisë, reagon Rama


Treshja e Presidencës evropiane nuk tregon një datë të afërt për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare mes Tiranës dhe Brukselit.  Mbledhja ishte parashikuar të mbahej në muajin dhjetor të këtij viti, por është shtyrë për në vitin 2021.

Ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth bashkë me homologët e tij nga Portugalia dhe Sllovenia, Ana Paula Zacarias e Gašper Dovžan, në një konferencë online, bënë me dije se procedurat do të vijojnë në muajin mars të vitit që vjen, nën kujdesin e Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, që në gjysmën e parë të vitit do ta ketë Portugalia dhe gjysmën e dytë, Sllovenia.

“Zgjerimi i BE është një çështje tjetër qendrore e Presidencës Trio. Tre partnerët e BE po punojnë drejt hapjes së konferencave të para për pranimin në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Edhe këtu, cilido vend që mban Presidencën e Këshillit duhet të angazhohet në negociata të vazhdueshme dhe shpesh komplekse për të bërë përparim, veçanërisht për çështjet që kërkojnë kompromis”, thuhet në deklaratë.

”Portugalia dhe Sllovenia kanë njoftuar synimin e tyre për të vazhduar me forcë këtë dialog gjatë presidencave të tyre. Në agjendën e Presidencës që do të vijojnë të ndiqen nga Portugalia dhe Sllovenia janë edhe çështjet: Promovimi i shtetit të së drejtës, vijimi i dialogut të nisur në 13 tetor, nën presidencën gjermane, diskutim horizontal në nivelin e BE-së,”- shkruhet në deklaratën e përbashkët të trios.

Burimet diplomatike , pas Samitit të Sofjes kanë parashikuar se Bullgaria do të bllokojë negociatat me Maqedoninë. Gjermania nuk arriti ta bindë Bullgarinë që të ulet në bisedime me Maqedoninë për të zgjidhur çështjen historike mbi gjuhën dhe origjinën e fqinjit.

Këtë argument e solli edhe Rama në emisionin Open, ku tha se ka dalë Bullgaria si barrierë e re që bllokon negociatat me Maqedoninë.

Rama deklaroi se Bundestagu është dakord që të hapen negociatat me Shqipërinë, por nuk jep shpjegim përse parlamenti Holandez e deklaroi votën "Jo" për Shqipërinë.

I pyetur lidhur me deklaratën e treshes së Presidencës evropiane, Rama u shmang dhe vazhdoi bisedën lidhur me të sëmurët më covid, por që janë asimptomatikë.

/TPZ.al/