AKTUALITET, 12 Nëntor 2020, 21:21

Akuzat se hetoi luftëtarët e UÇK-së, Basha: Shpifje e plotë! Rama tradhëtoi Kosovën, kur Thaçi dhe Krasniqi ishin në Hagë!

Akuzat se hetoi luftëtarët e UÇK-së, Basha: Shpifje e


Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka qenë i ftuar në emisionin "Real Story", ku ka folur për akuzat e mazhorancës, se ai ishte pjesë e ekipit që hetoi luftëtarët e UÇK-së. Basha i mohoi këto akuza dhe nga ana tjetër deklaroi se sot Serbia ka marrë një revansh, e ndihmuar nga Tirana zyrtare.

"Beogradi ka arritur të imponojë një tregim të rremë, ku viktimën po e paraqet përmes trillimeve mashtrimeve, mekanizmave të mbështetura nga aleati i vet tradicional, në një dritë që nuk ka të bëjë me të vërtetën. Pse i është hapur ky shteg Serbisë, kur 10 vjet më parë kishim situatë tjetër? Sot, kemi një rehabilitim të pamerituar të Beogradit. Nuk ka kërkesë ndjese, përgjegjësi për të zhdukurit, përkundrazi ka një revansh. Tirana zyrtare, hesht dhe bën veprime, që përbëjnë dramë të dytë për Kosovën dhe ata që kanë luftuar për lirinë e Kosovës", tha Basha.

Basha adresoi edhe faktin se një përfaqësues i PD-së, ka votuar pro raportit të Dick Marty.

Pjesë nga biseda:

Lulzim Basha: E para e punës raporti i Dick Martyr u cilësua si i falsifikuar dhe me pretendimet të rreme. Së dyti, Tirana zyrtare ishte e bashkuar, votuan ligjin në parlamentin shqiptar për të hedhur poshtë këto akuza. Ne miratuam ligj për të rrëzuar akuzat e rreme!

Sokol Balla: Ishte ligj për ti hapur rrugë...

Lulzim Basha: Kur ke përballë një makineri shpifje dhe baltosje, për hesap të Beogradit, ne vendosëm ti hedhim poshtë përmes një mekanizmi që u votua nga PD dhe PS. Task Forca gjeti që nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dëshmi për akuzat e raportit të Dick Marty. As ai dhe as Carla del Ponte nuk flasin për shtëpinë e verdhë. Sot për shtëpinë e verdhë flet kryeministri Edi Rama, as Beogradi zyrtar nuk flet për këtë.

Në atë orë dramatike, kur në Hagë, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaci ishin në gjykatën speciale, Rama me Vucic bënin online, një marrëveshje. Gjithçka u bë për të hequr vëmendjen nga kjo që është një tradhëti ndaj Kosovës, Edi Rama ka tradhëtuar interesat e Kosovës. Është shpifje e plotë, gjithcka është thënë në adresën time. Kurrë nuk kam qenë pjesëtar i ndonjë procesi hetimi ndaj luftëtarëve të UÇK. Kam qenë në ekipin që përfundoi akuzën ndaj Slobodan Milosevic.

/TPZ.al/