TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar për procesin e përzgjedhjes se së drejtorit të Teatrit Kombëtar Eksperimental.
“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon nga qeveria që këtë proces mos ta përmbyllë me ngut e në mënyrë jotransparente sikurse ka vepruar më herët në raste të tjera. Procesi duhet të jetë i hapur, platforma për zhvillim që paraqesin kandidatët të bëhet publike, vlerësimi për përzgjedhjen e kandidatit fitues të bëhet nga një komision me artistë të pavarur e të mirënjohur në skenën teatrore në Shqipëri.”- shkruhet në njoftim.
Postimi i plotë:
Qendrim i Aleances per Mbrotjen e Teatrit ne lidhje me konkursin e hapur postin e Drejtorit te Teatrit Kombetar Eksperimental.
Ju lutemi qe ta shperndani, u bejme thirrje gazetareve te investigojne mbi kete proçes te kompromentuar. Teatri meriton me shume! #mbroteatrin
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po ndjek me aq vëmendje sa është e mundur në kuadër të jotransparencës, procesin e përzgjedhjes së drejtorit të Teatrit Kombëtar Eksperiemental.
Dy kandidaturat e përfolura në shtyp në javët e fundit janë zoti Kiço Londo, aktualisht drejtor i këtij teatri dhe zonja Jonida Beqo, aktualisht drejtoreshë e Teatrit të Metropolit.
Kiço Londo është i njohur për publikun e gjerë për angazhimin e tij shumëvjeçar për zhvillimin e skenës teatrore shqiptare dhe edukimin e fëmijëve përmes teatrit e për t’u drejtuar te teatri. Aktualisht sipas të dhënave në dispozicion, rezulton se me 3% të buxhetit të vënë në dispozicion për teatrin nga Ministria e Kulturës TKE prodhon 60% të shfaqjeve teatrot në rang kombëtar, ndërkohë që me detyrim ligjor do të mjaftonte të prodhonte 3% të shfaqjeve.
Për ne si aleancë, Kiço Londo në 10 muajt e rezistencës sonë, ka spikatur me mbështetjen e fortë që i ka bërë kauzës së mbrojtjes së teatrit nga shembja. Nga ana tjetër, zonja Beqo ka spikatur me përfshirjen e saj në radhën e atyre që firmosen për shembjen e teatrit. Kjo gjë bën që përfshirja e saj në proces si kandidate e vetme përballë zotit Londo të shfaqë dyshime për gjithë procesin.
Ndërkohë, mbështetja që ka dhënë zoti Londo për kauzën e mbrojtjes së teatrit lë të mendohet që ka qenë me pasoja direkte për të. Ndërkohë që drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, i cili ishte pro shembjes së ndërtesës së teatrit që drejton, mund të faktojë një numër shumë më të vogël shfaqjesh dhe publiku, konfirmohet edhe për një mandat në postin e drejtorit, për zotin Londo kjo as nuk merret në konsideratë që të ndodhë.
Ende është e paqartë se çfarë do të bëhet me Teatrin Kombëtar, Teatrin Kombëtar Eksperimental dhe gjithë truallin publik pranë tyre. Ende frika ekziston se qeveria nuk është tërhequr nga procesi tërësisht jotransparent dhe autoritar i tjetërsimit të kësaj hapësire dhe me dy drejtorë pro shembjes mund ta çojë deri në fund qëllimin e shpalosur përgjatë këtyre dhjetë muajve.
Për më tej, procesi që në fillesë është i dënuar të paragjykohet. Ai nuk ka qenë i hapur dhe publik për të mirëpritur kandidatura të tjera, është vënë si kriter përjashtues gjuha angleze, që drejtpërdrejt çon në përjashtimin e zoti Londo nga gara dhe mbetjen në të të zonjës Beqo si kandidate e vetme.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon nga qeveria që këtë proces mos ta përmbyllë me ngut e në mënyrë jotransparente sikurse ka vepruar më herët në raste të tjera. Procesi duhet të jetë i hapur, platforma për zhvillim që paraqesin kandidatët të bëhet publike, vlerësimi për përzgjedhjen e kandidatit fitues të bëhet nga një komision me artistë të pavarur e të mirënjohur në skenën teatrore në Shqipëri.
Aleanca per Mbrojtjen e Teatrit