AKTUALITET, 22 Qershor 2019, 14:50

Përplasja me Bashkinë për KZAZ-të/ Në Kukës numërimi i votave do bëhet në një hotel

Përplasja me Bashkinë për KZAZ-të/ Në Kukës



Pas përplasjes me Bashkitë e djathta, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjetur si rrugë zgjidhje të spostojë Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve në ambiente të administruara nga institucioni i prefektit.

Për KZAZ-në e Kukësit, KQZ ka miratuar me katër vota që Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve të jetë në një hotel.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së ky vendim u miratua me katër votat pro të anëtarëve të zgjedhur nga PS-ja, kurse kryetari i këtij institucioni, Klement Zguri ka votuar kundër.

KZAZ-ja e Kukësit do të jetë e pozicionuar në “Bufe Veranda”, i njohur ndryheshe i ish-hotel Drini.

Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, Ylli Merakaj bëri të ditur gjatë mbledhjes se kreu i Bashkisë, Bashkim Shehu ka kërkuar lirimin e ambientit të administruar nga ky institucion, ndërkohë që Prefekti i ka propozuar zhvillimin e proceseve administrative dhe numërimin e votave në një hotel në Kukës.

“Propozimi i ardhur nga Prefekti i Qarkut plotëson përafërsisht kërkesat e ligjit, është me sipërfaqe 164 metra katrorë dhe në vlerësimin tonë është një sipërfaqe që mund të shërbej për numërimin e votave. Është propozim i Prefektit të Qarkut për ndryshimin e VNV-së. Përsa kohë Bashkia Kukës ka kërkuar lirimin  e ambienteve që janë në administrimin e saj për të mos krijuar konflikt ne kemi menduar që kemi menduar që është zgjidhja më e mirë për të shërbyer si vendnumërimi për votat”, tha Sekretari i Përgjithshëm i KQZ.

“Në ambientet e Bufe Verandë e ish-hotel Drinit, me sipërfaqe 164 metra2 Kukës. Katër vota pro 1 kundër”, tha Klement Zguri.