AKTUALITET, 22 Qershor 2019, 14:39

Sekuestrohet hoteli në Himarë, vlera 500 mijë euro. Policia sqaron arsyen

Sekuestrohet hoteli në Himarë, vlera 500 mijë euro. Policia



Vendoset Preventive për një hotel në ndërtim dhe truallin ku ndërtohet hoteli në Himarë. Policia ben me dije se sekuestro vjen pas vendimit te gjykates se Vlores, pas akuzave per “Falsifikimi i dokumenteve“ dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, është bërë zbatimi i Vendimit Penal nr. 1314, datë 20.06.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi një objekt hotel në ndërtim.

Ky ndërtim ka qenë i lejuar me vendimin nr.64, datë 30.07.2018 nga ana e bashkisë Himarë dhe leja e ndërtimit është dhënë në favor të një shoqërie sh.p.k, me administrator shtetasin F. H., si dhe një sipërfaqe toke truall prej 700 m2, e ndodhur në Spile Himarë ku po ndërtohet ky hotel.

Vlera financiare e objektit dhe truallit kap shifrën rreth 500.000 euro.

Ky sekuestrim u bë në kuadër të procedimit penal nr. 342 viti 2019, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve“ dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal.