AKTUALITET, 22 Qershor 2019, 14:07

Dosja 339/ Prokuroria merr në pyetje deputetin socialist që u përmend në përgjimet e “Bild”

Dosja 339/ Prokuroria merr në pyetje deputetin socialist që u

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Ndraxhi, emri i të cilit përmendet në përgjimet e publikuara nga tabloidi gjerman “Bild” nga ish i dënuari për vrasje, Astrit Avdylaj, është marrë në pyetje nga Prokuroria për Krime të Rënda mbi hetimet për dosjen 339.

Mësohet se Ndraxhi është paraqitur në institucionin e akuzës ditën e enjte dhe është pyetur nga prokurorës për afro dy orë. Në përgjimet e Prokurorisë që u publikuan nga “Bild” rreth dy javë më parë, dëgjohet Astrit Avbdylaj teksa flet me Arjan Ndraxhin, vëllain e ligjvënësit socialist, të cilin e informon se Iliri do të renditet në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së në zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit 2017.

Kjo bisedë ka ngritur dyshime se Astrit Avdylaj ka ndikuar që Ndraxhi të jetë pjesë e listës, ndonëse deputeti ka mohuar çdo lidhje me anëtarët e grupit kriminal. Referuar përgjimeve, dyshohet gjithashtu se Astrit Avdylaj siguronte vota për llogari të PS, duke deformuar për rrjedhojë rezultatin e zgjedhjeve qendrore.

Më herët, Prokuroria ka marrë edhe dëshminë e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, pas publikimit të 6 përgjimeve lidhur me dosjen 339, në kuadër të hetimeve mbi bashkëpunimin e një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës, të njohur si “Klani kriminal i Avdylajve” me zyrtarë të Partisë Socialiste për blerjen e votave në zgjedhjet e qershorit të 2017-s.