TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Partia Demokratike ka publikuar dje dokumentin zyrtar, në të cilin janë zbardhur përgjimet telefonike midisi shtetasit Taulant Haxhiraj, i cili mban pseudonimin “Agushi” dhe dyshohet të ketë pasur lidhje me kunatin e ish-shefit të Antidrogës së Vlorës, Gjergji Kohila, dhe me ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një konferencë për mediat, tha dje se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka të faktuar prej 4 muajsh lidhjen e ishministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me bandën e Habilajve, me të cilët bashkëpunonin dy ish-drejtuesit e Policisë, Kohila dhe Çela.
“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka të faktuar të paktën prej 4 muajsh se lidhja mes ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe trafikantëve të drogës, bandës së Habilajve, mbahej edhe nëpërmjet drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në trafikun ndërkombëtar të drogës. Partia Demokratike disponon dokumentet zyrtare, që e provojnë këtë lidhje. Kjo është masa e sigurisë arrest me burg, e vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda për 2 oficerët e lartë të Policisë, Jaeld Çela dhe Gjergji Kohila, shef i Antidrogës në Vlorë, me akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, kultivim dhe trafikim të kanabisit. Bisedat mes drejtuesve të bandës së Habiljave dhe drejtuesve të Policisë së Vlorës provojnë se Policia e Shtetit jo vetëm ishte kthyer në roje të transportit të kanabisit drejt Italisë, por Jaeld Çela ka dekonspiruar operacionet e Shërbimit Informativ Shtetëror për llogari të Habiljave, që vetë trafikantët në përgjime i quajnë ‘kusho të ministrit’ dhe që ‘siguronin garanci për kanabisin’”, tha dje Alibeaj.
Nga përgjimet telefonike, shtetasi Taulant Haxhiraj, me pseudonimin “Agushi”, komunikon me një shtetas tjetër, i njohur me pseudonimin “Aliej”, të cilit i tregon se ka marrë leje për të mbjellë parcela kanabisi në Kuç të Vlorës, por edhe në disa fshatra të tjera. Këto leje ai i ka siguruar më anë të njohjeve që ka te kushërinjtë e ministrit. Po ashtu, ai sqaron se Policia merr për lejen 30% të prodhimit dhe pagesa nuk bëhet në para, por me “gjëra”. Në përgjime të tjera, Haxhiraj njoftohet nga shtetasi i dyshuar, si Gjergj Kohila me pseudonimin “Fiati”, i cili i komunikon që të mos dalë në parcelat pasi ka kontroll. Madje, të dy bëjnë dhe humor për kontrollet e Policisë, kur “Fiati” i thotë me humor se nga kontrolli në terren më shumë binin në sy njerëzit e Haxhirajt sesa parcelat e drogës.
TRANSKRIPTIMI I PËRGJIMEVE DHE SMS-VE
Transkriptimet e komunikimeve telefonike të përgjuara, të vlerësuara në unitet me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit teknik të aparateve telefonike celulare (kryer veprimet nga organi procedues, prokuroria) si dhe, transkriptimet e komunikimeve telefonike të ardhura në ekzekutim të letërporosisë dërguar autoritetit gjyqësor italian, njoftojnë përfshirjen e shtetasve Jaeld Çela dhe Gjergji Kohila, në bashkëpunim me shtetasin Sokol Bode, në aktivitetin kriminal të kultivimit e trafikimit, nëpërmjet mbështetjes së ofruar, duke qenë ata në funksione të larta drejtuese në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Në veprimtarinë e tij, shtetasi Taulant Haxhiraj, sikurse rezulton nga hetimi i deritanishëm, ku gërshetohen përgjimet dhe vëzhgimet në terren, ka pasur lidhje me të hetuarin Renaldo Avdulaj, kunatin e tij, Gjergji Kohila, dhe drejtorin e Policisë, Jaeld Çela, konkretisht:
“Agushi” SMS “Xhekut 1”: “U pleksa me këtë legenin. Kunatin e ‘gj’”: “Po, vlla, ky ‘gj’ më thotë mos dil”. “Dhe thashë të pyesja njëherë ty vlla. Se kam hall se kërcënova atë që ti më thoshe mos u pleks ‘r’. * * *
Inicialet e përdorura “r” dhe “gj”, dyshohet se u përkasin punonjësve të Policisë, Renaldo Avdulaj “r” dhe Gjergj Kohila “gj”. Në funksion të fshehjes së identitetit të komunikuesve, janë përdorur gjithashtu: “Agushi”, “Fiati” “Xheku”, “Adidas” “Aliej”, etj. “Agushi” SMS “Aliej”: “Atje e ka vllai me drejtorin”, dyshohet se njëri prej komunikuesve ka siguruar mbështetjen me shumë gjasa të vetë drejtorit të Policisë.
“Agushi” SMS “Aliej”: “O vlla, vend ka, po akoma s’kanë marr garanci ata kushot e ministrit”, dyshohet se bëhet fjalë për sipërfaqe toke për kultivimin e bimës narkotike, për të cilat pritet me sa duket marrja e garancisë nga vëllezërit Habilaj.
——
Mesazhet e shkëmbyera gjatë datës 16.04.2016 nga komunikuesit “Aliej” dhe “Agushi”(i arrestuari Taulant Haxhiraj), njoftojnë se ky i fundit mori garanci nga strukturat e shtetit, për të gjetur toka në zonën e fshatit Kuç, Vlorë për kultivimin e bimëve narkotike.
Aliej: Andej, me garanci, ta morën përsipër, vlla?
Agushi: Po, ma morën vlla.
Aliej: Apo në ajër?!
Agushi: Po s’ka garanci të saktë fare. Më thanë, kaq pak do i mbroj?!
Aliej: Po të vëmë më, ka vend për të mëdha?
Agushi: Po të saktë fare s’e kam, se mos i lëvizin?
Aliej: Vlla, je marr vesh, vlla?
Agushi: Vlla, vend ka, po akoma s’kanë marrë garanci ata kushot e ministrit… dhe të them garant e të del ndryshe… S’dua të të bëj garantin e të dal ndryshe vlla.
Aliej: Të marr vesh, vlla.
Agushi: Më kupto se unë e di si mendon ti, të hidhemi, por një garanci ta marr vllai. Dhe më ka thënë ai kushua yt, do lidhej me njërin që ka baçe e garancinë me shtet, e merrja unë… se më ka dhënë ok për këtej nga fshati Kuç. Vij më ka thënë.
Aliej: Është dhe ai, aty ku je ti. Në të njëjtën zonë.
Agushi: Po jo vlla, unë i kam afër në Vlorë.
Aliej: Të marr vesh..
Agushi: Shteti ma jep garanci të plotë në Kuç. Më jep këtë gjë, po s’kam njeri atje. Atje e ka vllai me drejtorin, e sigurt.
Aliej: Ai ka të ngrënë zogj, të keqen vllai, si ka për të bërë punë.
Agushi: Më tha ai në Kuç, vij sa të duash, 30 për qind, këtyre dhe hajd t’i vëmë vlla, po s’po gjej tokë. Ka vajt një nga Vlora në Kuç që ju ka dhënë leje ky dhe ai nga Fr…. që po bën të madhe. Pastaj kanë vënë pa leje. Po të gjejmë tokë atje vlla, të dal garant vllai.
Aliej: Të marr vesh vlla.
Agushi: Jo vetëm në Kuç, Bolen, Kallarat, Vranisht, kudo në këto të del vllai garant, të mbrojtur e të sigurtë, si më kanë thënë.
Aliej: Po do fol me na një që ka tokë, vlla. Po këta që dalin garant sa për qind kërkojnë vlla?
Agushi: 30 për qind
Aliej: Po si i duan, gjëra apo lekë vlla?
Agushi: Gjëra, ça lekësh!
Aliej: Të marr vesh.
Agushi: Sot që po flasim, më kanë lënë 80 kile mua në shtë- pi atë të tyren.
Aliej: Të marr vesh vlla.
* * * Mesazhet e shkëmbyera (në datë 08.05.2016) nga komunikuesit “Usta” dhe “Agushi” (Taulant Haxhiraj) njoftojnë përcjelljen e shqetësimit të këtij të fundit për transferimin e një punonjësi të Policisë nga Vlora në Shkodër, mbështetës i veprimtarisë së tyre.
Duke e parë këtë njoftim në unitet me njoftimin e përftuar nga prova dokument, organika e Drejtorisë së Policisë Vendore Vlorë (përmendur më sipër), rezulton se bëhet fjale për shtetasin Sokol Bode, konkretisht:
Usta: Ç’po bën vëlla?
Agushi: Ja sa po shkruaj me atë vlla.
Usta: Ok, më thuaj që të lëviz të paktën vëlla.
Agushi: Të më vdesë djali, nuk të gënjej. Me tha ja do të them kur të nisem, po lëviz ti vlla, lë të presë ai me mua.
Usta: Ok.
Agushi: O vlla, e hoqën atë, na këputën. Në Shkodër e çuan
Usta: O vëlla e mora vesh.
Agushi: Na këputën fare.
Mesazhet e shkëmbyera (në datat 22 dhe 23 shtator 2016) nga komunikuesit “Agushi” dhe “AdidaS” njoftojnë dhënien e informacioneve, të marra nga punonjës Policie, për hetimin nga Krimet e Renda, për përgjimet e “ShIK” (Shërbimi Informativ Shtetëror) dhe për vëzhgimet në vazhdimësi konkretisht:
Agushi: O vlla, tani më erdhën se jam në fshat.
Adidas: Ça ke bërë, si po kalon? Ça bëhet andej, ke marrë vesh na një gjë ça behët?
Agushi: O vlla, qetësi. Këta janë zhduk të gjithë.
Adidas: Atë e ke takuar më, kur ta takosh prapë atë shokun…. ça të tha, të të thotë na një gjë tjetër e të na thotë na një gjë ça duhet të bëjmë, ça s’duhet të bëjmë, si ta kapim fillin që të zgjidhim këto ça janë. Ça kemi në dorë të bëjmë?
Agushi: Fola sot me atë shokun, më tha duro dhe dy ditë vlla, se po i mbyll ai.
Adidas: Si po i mbyll ai? S’e kuptoj.
Agushi: Dhe do më thotë jepini një drekë, këtë më vuri gjobë o vlla. Di.. ishte me këta ai të Tr.
Adidas: Ku qe?
Agushi: Do ju le vetëm SHIK-un, tha do t’i zgjidh unë.
Adidas: Po ata s’po bëjnë asgjë, ça jo kështu, po ashtu!
Agushi: Në Vlorë, o vlla, po kujt do i bëjnë, kanë ik të gjithë.
Adidas: Pse aty janë mua më thanë janë aty.
Agushi: S’ka njeri fare…. Ai tha do të them, mos u duk dhe dy ditë, po ja se do mbyllen. SHIK-u do jetë nëpër këmbë.. s’do takosh njeri. Kështu më tha të them vlla. Mase dhe janë o vlla, s’di gjë, ça më tha ky të them, vajti ky që rri unë takoj atë që të thash, kushua yt.
Adidas: Mirë, o vlla, mirë,
Agushi: Ça nuk i kish thënë.
Adidas: Ça?
Agushi: Gjithë Vlora vlla, ku ka një foto me mua, ia kishin treguar. Po i din të gjitha o vlla.
Adidas: Ça i kishin thënë që thua, ça si kish thënë?!
Agushi: Ça ham, ku pimë he për mua për ty.
Adidas: Si ça hamë, ku pimë? Po ça, thuami konkrete o vlla. Po me ça merremi, ça bëj unë, ti, ke nis punë, ku u kapën katër tonë. Me kë e ke nis. Po unë kam frik mos ka fol ndonjë nga ata në Itali. Se fiks mbas asaj erdhën këta. Po ata nuk faktojnë dot gjë, tan se nuk bëjnë do lidhjet tani.
Agushi: Po ku di gjë unë… Vetëm po ka pas listë në xhep ai që është kapur. E marr vesh vetëm e dinë më fjalë, me gjëra, me fakte s’bëjnë dot gjë. Se asgjë nuk takon me njeri-tjetrin, kanë thënë. Se ti thua piva kafe, tel. nuk ke, vlla vetëm foto.
Adidas: Po s’kam as tel, asgjë, foto vetëm s’e di.
Agushi: Ti je përgjegjës për vrasje dhe je në përgjim dhe të dolën këto.
Adidas: Ti mbaj të na i tregojë fotot ai, si, si?
Agushi: Kështu më tha ky i Vlorës, ti je në përgjim për një vrasje… në përgjim tha, mund të jetë gjithë jetën.
Adidas: Për ça vrasje nuk sqaroj më shumë dhe ku i kanë përgjimet kur m’i vunë. Unë, një muaj jashtë.
Agushi: Më sqaroj vlla, i ke gjithë kohën vlla dhe kur ke qenë brenda, tel. na burgu. S’po themi për tani vlla.
Adidas: Po për ça nuk të thotë më shumë, për ça më përgjon, për ça jo? Si mund t’i heqim këto gjëra.
Agushi: O vlla nuk i heq dot, nuk të ka Policia, as duan t’ia dinë. Është SHIK-u vlla dhe raportojnë me qendrën tha në TR. Po mos u shqetësoni më tha, ata atë punë kanë. Le të bëjnë i thashë unë, po të rri andej. Po do vijë ai tha, prapë qepen tha derisa të lodhen, se nuk ndërhyn dot tek ata, tha janë spiuna, atë punë kanë, ça dëgjojnë e shkruajnë tha ata shkruajnë dhe për Policinë, tha.
Adiadas: Po këta, tani janë nga Krimet e Rënda apo të SHIKut se s’po e marrë vesh tani?
Agushi: O vlla, janë nga Krimet e Rënda. Po ata s’të njohin as ty, as mua, asnjëri, janë oficerë të SHIK-ut Vlorë që i shoqërojnë këta, janë Operacionalja.
Adidas: Po ky, ça tha ky tani, që do t’i rregullojë vetë këto fotot, këto gjërat. Unë thotë? Po përgjimet ambientale ça kanë? Si do t’i heqë ai.
Agushi: Vlla, ato s’i heq dot ai, po kemi ambientale te ShIK-u.
Adidasi: Po ça do bëjë ai, ça do heqë. Si do ia bëjmë, ça do bëhet? Po kemi apo s’kemi ambientale ne?
Agushi: Ai po anashkalon mua, ty dhe nja dy të tjerë, sa të mbyllet vlla se me SHIK-un ma tha, do i keni nga mbas, vetë s’do të finalizohet operacioni të je jemi dhe ne.
Adidas: Po këta dy të tjerët, kush janë, i njohim? Si s’do të finalizohet operacioni, të jemi dhe ne. Do ta bëjë në për të bërë operacionin, ça do bëjnë?
Agushi: Do ta bëjnë dhe ne s’do jemi do ta mbyllin, po s’kanë me kë, janë njohur të gjithë, s’ka njeri fare.
Adidas: Po kur ta bëjnë? Po si ta bëjnë kur s’ka njeri pastaj?
Agushi: O vlla, po se di kujt i është prerë fleta dhe pse si kapin. Se më tha do bëjnë arrestime dhe tre oficerë Policia do arrestohen.
Adidas: Arrestohen! Jo arrestohen! Hahahaah. Mirë, ja do i shikojmë. S’di ça të besosh e ça jo tani.
Agushi: Po ashtu është o vlla, s’e bëjmë dot të fortin o vlla, se s’kemi gjë në dorë.
Adidas: Për ça thua?
Agushi: O vlla, që mos të ruhemi nga këta.
* * * Mesazhet e shkëmbyera ndërmjet komunikuesve “Agushi” dhe “Fiati” (ky i fundit dyshohet se përdorej nga Gjergj Kohila), njoftojnë dhënien e informacioneve nga ky i fundit, për hetimet e kryera, konkretisht:
Agushi: O vlla si je, ça bëhet? Po lëviz, vllai, nëpër Vlorë, po thjesht me familjen. s’bëj asgjë, të dal normalisht vlla …se janë hap llafe, janë prerë ca urdhër arreste, vlla, për mua, atë kushëririn tim, e ca çuna të tjerë…apo llafe Vlore?
Fiati: Unë s’di gjë vëlla. Por duhet të ketë prova që të priten urdhra arresti. Ju kanë kapur gjë!? Po s’kanë prova, s’ka urdhër arresti. Njerëzit ju dinë në burg. Po më këto intriga që bërë ti me atë timin, çuditen kur ju shohin jashtë.
Agushi: Ça intrigashbëra unë o vlla? Vetëm unë s’bëj intriga. Të përshëndeta qepar, s’më pe. Mua ma bën intrigën, më morën më qafë, po varja o vlla, po të jetë ndonjë gjë, më thuaj të ndërhy. Në Tr kam njerëz, po ç’ne na dinë në burg, ne ça kemi bërë apo bahçja jonë, në përballë i kishim dhe është me 100 mijë rrënjë, nuk i shikojnë, kjo jona dukej. Ahaahah
Fiati: Ahahahaah
Agushi: O vlla, të rri vllai i qetë në shtëpi se vetëm te llafi yt kam besim.
Fiati: Rri o vlla. Unë kam sjell atë timin në punë. Po nuk është se dukej bahçja. Dukeshit ju me shumë se baçja. Sikur kishin 200 mijë.
Agushi: Ok vlla, ore të të pyes unë ty, atë s’e pyes më unë. Varja, iku ajo, rëndësi ka të jenë të qenë tani vlla.
DATË 28.09.2016
Fiati: Ça bëre mirë? Si ke qenë?
Agushi: Mirë vlla, si je ti, tani e pashë.
Fiati: Bëj kujdes nga nesër.
Agushi: S’po e kuptoj vlla?
Fiati: Se do kesh grupe nga nesër, nga pas!
Agushi: Ça ka ndodh?
Fiati: Kanë ardhur këta të vëzhgimit për atë që kishit.
Agushi: Ka ndonjë rrezik, se unë asgjë s’bëj më. Ça do vëzhgojnë ata? Kur çoj djalin në kopsht vlla?
Fiati: Po s’bën gjë, rri në shtëpi, mos e vra mendjen.
Agushi: Po vlla, asgjë s’po bëj më, i kam bërë stop gjithçka.
Fiati: Shko porosit ata djemtë që kishit lart, të kenë kujdes, se do jenë dhe ata në vëzhgim. Hiqu numrat e tel. Mos harro.
Agushi: Ok, vlla, sa do zgjasë kjo, po ata s’merren me asgjë, një punon kamerier, një në pik lotoje, janë me pak llafe, hallexhinj vlla.
Fiati: E di, por thuaji të bëjnë kujdes, s’ka problem. Kanë shkruar prapë ata të SHik-ut.
Agushi: Po unë të dal nesër vlla, normalisht jetën e përditshme.
Fiati: Do keni ndonjë spiun brenda!
Agushi: Po për ça do spiunoj tani, o vlla, as më asnjë nuk po tak më..
Fiati: Ok mos u thuaj me kë flet ti, se flasin në tel ata e s’na thonë më gjë neve ata.
Agushi: Të dal normalisht nesër unë, vlla jetën e përditshme apo të fshihem. Ok, pa merak, jo vlla jo, si e do, i them.
Fiati: Dil normalisht, mos e vra mendjen, po s’bën gjë. Porositën ata djemtë të rrinë mirë! He, mos e vra mendjen fare.
Agushi: Ok vlla, jo, jo, vlla asgjë, po të bëja, do ishe i pari që do të thoja vlla dhe do të pyes kur të fillojmë punë.
Fiati: Ok