AKTUALITET, 29 Mars 2018, 13:05

Drejtoresha e “Sami Frashërit” i përzë, LGBT letër Ramës

Drejtoresha e “Sami Frashërit” i përzë, LGBT

Pas reagimit të prerë që drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë ka mbajtur, duke mos pranuar përfaqesues të LGBT, në kuadër të fushatës së nisur me shkollat në kryeqytet, këta të fundit i drejtohen me një letër të hapur kryeministit Rama.

“Ne tashmë kërkojmë hapa konkretë që të bindemi se e keni seriozisht çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut”- shkruhet nder te tjera ne leter.

LETER E HAPUR

I nderuar Kryeministër, Z. Edi Rama.             

Tirane, 29 mars, 2018

Ditën e sotme kemi lexuar të skandalizuar një intervistë që drejtoresha e gjimnazit “Sami Frasheri” në Tiranë ka bërë për gazetën Shekulli.

Në këtë intervistë të datës 29 mars, Teuta Dobi drejtoreshë e një prej gjimnazeve më të rëndësishëm të Shqipërisë shprehet, ndër të tjera ndaj personave LGBT, që do apo nuk do mësuesja janë edhe nxënës të shkollës që drejton:

“Nuk e di për këto takime, por unë nuk jam dakord personalisht. Nuk kam arsye t’i pres, pasi nuk kanë çfarë t’u tregojnë njerëzve. Unë mirëpres një muzikant apo kompozitor që t’ju them fëmijëve që të bëheni kështu. Ata nuk i mirëpres fare”.

Zoti Rama,

Ashtu siç jemi të sigurt se ju e dini shumë mirë, ky është një rast flagrant që nuk duhet lënë pa përgjigje.  Zonja në fjalë jo vetëm që ka shkelur gjithë kodet e etikës të profesionit të nderuar që përfaqëson por mohimi për të trajtuar këdo në mënyrë të barabartë është një veprim i dënueshëm nga ligjet shqiptare. Një gjuhë e tillë jo vetëm që fyen qindra dhe mijëra nxënës të komunitetit LGBT dhe prindërit e tyre, por është treguesi flagrant se bullizmi në Shqipëri, për fat të keq, frymëzohet jo vetëm nga mungesa e programeve edukuese në shkolla, por nga shumë mësues të paditur të cilët përbëjnë një rrezik publik për fëmijët dhe të rinjtë.

Ju njoftojmë se ne do të njoftojmë çdo organizëm ndërkombëtar brenda dhe jashtë Shqipërisë për këtë rast dhe për dhjetëra raste të tjera flagrante kur mësuesit keqtrajtojnë personat e perceptuar si pjesëtarë të komunitetit LGBT, raste që i kemi parë me sytë tanë, e që jo pak herë ua kemi bërë edhe juve të ditur.

Ne tashmë kërkojmë hapa konkretë që të bindemi se e keni seriozisht çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut.

Me respekt dhe në pritje të reagimit tuaj,

Xheni Karaj                                                           Kristi Pinderi

Drejtore e Aleancës LGBT                          Anëtari Bordit të Drejtorëvetë Pro LGBT