AKTUALITET, 3 Mars 2019, 23:22

Përfundon numërimi i votave, shqiptarët triumfojnë në Tuz

Shqiptari Nik Gjeloshaj do të jetë kryetari i parë i Komunës së Tuzit në Malin e Zi, duke hyrë kështu në histori.

Partitë shqiptare Alternativa Shqiptare, Unioni Demokratik dhe Lidhja Demokratike, të bashkuar në koalicionin “Malësia na bashkon”, dolën fitues në zgjedhjet e sotme.

Kryesuesi i koalicionit shqiptar, Nik Gjeloshaj, kandidoi përballë Mirza Pepiç të partisë së Milo Gjukanoviçit, njëherësh presidenti i Malit të Zi. Nik Gjeloshaj është kryetar i partisë "Alternativa Shqiptare".

Sipas Shtabit të Koalicionit Shqiptar, Forumi Shqiptar ka fituar 16 mandate, 12 mandate i ka fituar partia në pushtet PDS, ndërsa Demokratët e Malit të Zi vetëm një mandat. Por edhe fituesi i mandatit nga Demokratët është gjithashtu shqiptar.

Vetë kandidati fitues, Nik Gjeloshaj, doli para shqiptarëve që festonin duke pranuar fitoren.

“U them krejt shqiptarisë se në Malësi fitojnë shqiptarët”, u shpreh ai, duke shtuar se, “këtu flitet shqip. Urime fitoren”.

Komuna e Tuzit u krijua pas shkëputjes nga Komuna e Podgoricës. Më 1 shtator 2018, Tuzi u shpall komunë e territorit të Malit të Zi, e drejtë e shqiptarëve që kërkohet prej 30 vitesh.

Tuzi ndodhet në veriperëndim të Liqenit të Shkodrës, 10 km nga Podgorica, dhe 130 km nga Tirana. Komuna urbane e Tuzit përfshin rreth 39 fshatra dhe qytetin e Tuzit. Shqiptarët e Malësisë e konsiderojnë Tuzin si një qendër të rëndësishme kulturore dhe tradicionale për njerëzit e tyre. Edhe pse Tuzi është historikisht një qytet me shumicë shqiptare, atje ka edhe disa grupe të vogla etnike, si boshnjakë (myslimanë) dhe malazezë që janë vendosur atje më vonë./TPZ.AL

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur dhe ka uruar fitoren historike të koalicionit shqiptar të bashkuar në zgjedhjet për Komunën e Tuzit në Mal të Zi.

Haradinaj me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se uniteti i faktorit shqiptar në Mal të Zi ka sjellur suksesin dhe se ky bashkim duhet të jetë shembull për të gjithë hapësirën politike panshqiptare.

Postimi i plotë:

Bashkimi në koalicion i subjekteve politike shqiptare, fitoi të drejtën për të qeverisur me Tuzin. Një shembull i shkëlqyer se uniteti i faktorit shqiptar sjell suksesin. Urime shqiptarëve të Tuzit për këtë fitore historike! RH