TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një lajm i bujshëm vjen nga Italia dhe që e trazon jo pak ambientin kuqezi, kur jemi pak javë para ndeshjes me Turqinë, e para në eliminatoret e Europianit 2020.
Trajneri Kristian Panuçi mund të lërë Shqipërinë një javë para kësaj ndeshjeje për t’u ulur në stolin e Romës. Pas humbjes 3-0 në derbin me Lacion, trajneri i Romës, Euzebio Di Françesko, është në fije të perit dhe fatin e tij e vendos ndeshje e Championsit me Porton. Gjithsesi, që tani drejtuesit e Romës po mendojnë për zëvendësuesin e tij.
Të mërkurën e ardhshme luhet ndeshja e kthimit në Champions me Porton në Portugali dhe në rast eliminimi do të jetë i menjëhershëm shkarkimi i Di Françeskos. Dhe kandidat potencial për t’u ulur në stolin e Romës është pikërisht Panuçi, trajneri i Kombëtares. Paulo Sousa, ish-trajneri i Fiorentinës, tashmë duket larg. Drejtuesit e klubit roman janë fokusuar te trajneri i Shqipërisë, sipas shtypit italian.
Në lajmet e fundit të shtypit italian për çështjen e trajnerit të Romës saktësohet se kontrata e Panuçit me Shqipërinë skadon në nëntor të këtij viti, por ai mund ta zgjidhë me marrëveshje me FSHF-në, pasi ka një raport të mirë me drejtuesit e saj. Panuçi është duke pritur shansin e artë, por kjo do të thotë se nëse Roma eliminohet nga Championsi, ai do të lërë Shqipërinë një javë para ndeshjes me Turqinë. Do të ishte një situatë aspak e favorshme për Kombëtaren tonë, nëse ndodh vërtet kështu.