TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Partia Demokratike do të vendosë sot datën e protestës së parë që do të zhvillojë përballë qeverisë. E hëna shënoi edhe mbledhjen e parë të Kryesisë së Partisë Demokratike, organ të cilit Këshillit Kombëtar i PD-së i besoi vendimmarrjen për organizimin e protestave.
Për më shumë se tri orë, anëtarët e rinj të Kryesisë diskutuan në lidhje me qasjen e re të demokratëve ndaj bazës për të frymëzuar dhe krijuar besim në alternativën e opozitës. Pavarësisht diskutimeve të gjata në lidhje me thirrjen e protestave, Kryesia vendosi të thërrasë sot një tjetër organ të ri statutor në PD, Kolegjin e Kryetarëve.
Do të jetë diskutimi me anëtarët e Kolegjit të Kryetarëve mbi strategjinë e protestave, ai që do të çojë drejt një date finale, ku do të vendoset në një tjetër mbledhje të Kryesisë, e cila do të thirret sot pasdite.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Kryesisë është diskutuar edhe në lidhje me data të mundshme të organizimit të protestës. Për simbolikën që përmban si datë, disa nga anëtarët e Kryesisë kanë propozuar një datë afër 20 shkurtit, ditës së rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në vitin 1991, për zhvillimin e protestës së parë popullore. Por kreu i PD-së ka kërkuar fillimisht zhvillimin e takimit me Kolegjin e Kryetarëve, përpara përcaktimit të datës finale.
KOLEGJI
Kolegji i Kryetarëve, me të cilët kreu i PD-së, Lulzim Basha, do të zhvillojë një mbledhje sot në orën 11:00, përbëhet nga të gjithë kryetarët e degëve të PD-së dhe është krijuar si një strukturë ndihmëse dhe këshillimore e kreut të PD-së. Nga garancitë që do të marrë nga krerët e degëve dhe udhëzimet që do të japë për bazën, do të vendoset edhe mbi thirrjen e protestës së parë popullore.
Gjatë takimit me dyer të mbyllura të Kryesisë, Basha u ka kërkuar përfaqësuesve të tij politikë që të intensifikojnë takimet dhe kontaktet me bazën.
Sipas Bashës, ekipi i ri i zgjedhur duhet të japë shpresë dhe të sigurojë optimizëm se shumë shpejt demokratët do të vijnë në pushtet përmes votës dhe falë programit të tyre politik.
Një grup pune që do të funksionojë pranë kryetarit të PD-së do të koordinojë punët edhe për përgatitjen e alternativës së re, me të cilën demokratët do të paraqiten përpara shqiptarëve. Këshilli Kombëtar i PD-së, në mbledhjen e tij të parë, krahas zgjedhjes së lidershipit të ri të demokratëve, doli edhe me dy vendime të forta.
Këshilli ngarkoi strukturat drejtuese të PD-së që të merren me organizimin e protestave në mbarë vendin, me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe të Edi Ramës.
Gjithashtu, Këshilli mori vendim politik që si zgjidhje politike pas rrëzimit të qeverisë “Rama”, një qeveri tranzitore, kalimtare të merret me organizimin e zgjedhjeve të lira.