AKTUALITET, 22 Janar 2019, 10:45

Ronaldo sot në gjyq, rrezikon dy vjet burg dhe gjobë 19 mln euro

Ronaldo sot në gjyq, rrezikon dy vjet burg dhe gjobë 19 mln euro

Cristiano Ronaldo, pritet ta pranojë sot fajin gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Provinciale të Madridit , ku akuzohet për evazion fiskal gjatë kohës që ishte lojtar i Real Madridit.

Portugezi do të paraqitet para trupit gjykues sot dhe do të përballet me akuzat për falsifikim të të dhënave lidhur me përfitimet financiare nga shitja e të drejtave të imazhit. Prokurorët kanë kërkuar dy vjet burg dhe gjobë prej 19 milionë eurosh për të.

Në vitin 2017, Ronaldo kishte thënë se ai nuk kishte tentuar kurrë t’i shmanget pagimit të taksave për përfitimet financiare të tij.

Megjithatë, ai u akuzua nga një prokuror i shtetit për katër falsifikime të të dhënave financiare gjatë viteve 2011-2014. Prokurori pretendon se Ronaldo i ka fshehur 14.7 milionë euro përmes kompanive jashtë Spanjës.

Akuzat nuk i përfshijnë pagat që ai i ka marrë nga Real Madridi qysh nga transferimi i tij në vitin 2009 nga Real Madridi.

Në Spanjë, gjyqtarët shqiptojnë dënim prej 2 vjetësh burg për personat që e shkelin ligjin për herë të parë. Ronaldo nuk do të vuajë këtë periudhë dënimi me burg, pasi ka arritur marrëveshje për ta paguar një gjobë prej 10 milionë eurosh.

33-vjeçarit i ishte ofruar të merrte pjesë në këtë seancë gjyqësore përmes një lidhjeje me kamerë nga Italia, mirëpo ai preferoi të shkonte në Madrid, përkundër që mbrëmë kishte qenë i përfshirë në ndeshjen e Juventusit kundër Chievos.

Gjykimi i Ronaldos nuk pritet të zgjasë shumë për shkak të marrëveshjes së arritur paraprakisht.