AKTUALITET, 22 Janar 2019, 11:05

LAJM I FUNDIT/ Gjendet gomone dhe drogë pranë grykëderdhjes së Vjosës

Një gomone dhe një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike është gjetur mëngjesin e sotëm në grykëderdhjen e Vjosës.

Mjeti lundrues, rreth 10 metra i gjatë i pajisur me dy motorë të fuqishëm është gjetur gjatë një aksioni të Policisë kufitare.

Në gomone dhe pranë saj janë gjetur edhe disa pako të mëdha me lëndë narkotike, të dyshuar kanabis.

Zyrtarisht nga Policia nuk ka të dhëna për operacionin dhe sasinë e lëndës narkotike të sekuestruar, por sipas burimeve parapakisht dyshohet për rreth 500 kilogram kanabis.

Dyshimet janë se droga do të tentohej të trafikohej drejt vendeve fqinje. Ndërkohë forcat e Policisë Kufitare mësohet se po krehin zonën në kërkim të personave të dyshuar.

Gomonia e sekuestruar do të dërgohet në zonën e Triportit në Vlorë, ku lënda narkotike do të peshohet ndërsa mjeti lundrues do të qëndrojë i sekuestruar.

Detajet e operacionit pritet të publikohen në vijim.