AKTUALITET, 26 Shkurt 2018, 10:44

Pasi pinë bashkë gjithë natën, kreu i PS-së në Kelmend qëlloi me armë zjarri komshiun

Pasi pinë bashkë gjithë natën, kreu i PS-së në

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Vukël të Shkodrës. Bëhet me dije se një konflikt mes fqinjësh ka degraduar në përdorimin e armëve. Pas një debati të nisur në orët e para të mëngjesit mes Mark Çelës dhe Vasel Vuçinajt, ky i fundit ka shkuar në shtëpi, ka marrë automatikun dhe ka qëlluar në drejtim të banesës së 51- vjeçarit.

Mësohet se Mark Çela ka mbetur i plagosur në shpatull dhe ndodhet në spital, paraprakisht jashtë rreziku për jetën. Ndërkohë policia e Shkodrës ka mundur të arrestojë në kohë rekord autorin Vasel Vuçinaj. Mësohet se autori i dyshuar i ngjarjes, Vuçinaj është kreu i Partisë Socialiste të Kelmendit. Sakaq sipas bluve në vendngjarje u sekuestruan 12 gëzhoja. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar në rrjetin e tij social ‘Facebook’ edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai thekson se është fatkeqësi të kesh një pushtetar socialist komshi.

Reagimi i Berishës

Pushteti socialist, pushtet krimi! Kryetari i PS së Koplikut breshëri kallashnikovi mbi komshiun e tij. Është fatkeqësi të kesh një pushtetar socialist komshi! 92% e krimeve, vrasjeve, grabitjeve që kryhen në Shqipëri, sipas një burimi të besueshëm janë me lidhje direkte apo të tërthorta me pushtetin socialist!

Ngjarja

Me datë 25.02.2018 , në orët e para të mëngjesit, është marrë njoftim te salla operative se në fshatin Vukël, Malësi e Madhe, ka të shtëna me armë zjarri. Dyshohet se debati mes fqinjëve ka nisur për shkak të një konflikt për tokën. Vasel Vuçinajt se bashkë me viktimën kanë qenë të ftuar në banesën e një prej shokëve për darkë, ku kanë pirë deri në orët e para të mëngjesit. Pas një debati të nisur në orët e para të mëngjesit, Vasel Vuçinaj, i cili është kryetar i Partisë Socialiste në Kelmend, ka shkuar në banesën e tij dhe ka marr një armë zjarri të llojit automatik. Sipas policisë Vuçinaj pasi ka marrë automatikun ka qëlluar 12 herë në drejtim të banesës së Mark Çelës. Në momentin që 49 vjeçari ka qëlluar, në banesë kanë qenë të gjithë pjesëtarët e familjes Çela, ndërsa i plagosur ka mbetur kryefamiljari Mark Çela. Ky i fundit mbeti i plagosur në shpatull dhe ndodhet në spital.

Bëhet me dije se 51-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat policore të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda, forcat policore të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe si dhe një grup i FNSh Shkodër për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe kapjen e autorëve. Pas një pune të mirëorganizuar të forcave policore të ndodhura në vendngjarje, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në kohë rekord e autorit të dyshuar të kësaj ngjarje së bashku me armën e krimit. Konkretisht Vasel Vuçinaj, 49 vjeç, banues në fshatin Vukël, Malësi e Madhe. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit automatik si dhe në vendngjarje nga këqyrja u sekuestruan 12 gëzhoja. Ndërkohë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Grupi hetimor po merr në pyetje autorin dhe të plagosurin për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.