AKTUALITET, 22 Shkurt 2018, 10:00

Pas takimit me Nikollën, Forumi i pedadogëve: Zgjidhje deri më 10 mars ose nisim grevën

Pas takimit me Nikollën, Forumi i pedadogëve: Zgjidhje deri më 10

Pas dy orë e gjysmë bisedimesh, përfaqësia e Forumit për Liritë Akademike i ka dhënë afat ministrisë deri më 10 mars që t’u përgjigjet kërkesave të tyre, në të kundërt janë gati të protestojnë.

Të ulur dje për herë të parë në bisedime “tete-atete” përfaqësia prej 15 pedagogësh negociatorë të Universitetit të Tiranës, i ka parashtruar platformën për një universitet cilësor, ndërsa morën prej saj vetëm premtimin për një përgjigje, të shtyrë në kohë. Në bisedimet e zgjatura, në qendër të vëmendjes mësohet të kenë qenë kërkesat e pedagogëve të UT-së, më konkretisht, për ndryshime në ligjin për arsimin e lartë, kërkesë kjo e kahershme e forumit si dhe statusi i padagogut e ai i studentit.

Vonesa e pagave të muajit janar për pedagogët e Universitetit të Tiranës ka shërbyer si shkëndijë për shfaqjen e një sërë pakënaqësish, duke bërë që ta marrin seriozisht zgjidhjen e ngërçit, për të cilin fajësohet jo vetëm MASR, por edhe strukturat e brendshme të vetë universitetit. Gjithçka do të përcaktohet në datën 10 mars, kur do të mbahet edhe takimi i radhës.

KËRKESAT E PEDAGOGËVE

Dje pas takimit, koordinatori i Forumit për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare, Mark Marku, shpërndau një deklaratë ku qartë- sonte çfarë u diskutua me ministren Nikolla. Përfaqësuesit e Forumit e përqendruan diskutimin e tyre në këto çështje themelore që shqetësojnë sot Universitetin e Tiranës në veçanti dhe arsimin e lartë në përgjithësi.

1. Problemi i bllokimit institucional të UT-së. Sipas përfaqësuesve të Forumit, bllokimi i sotshëm institucional është pasojë e ligjit të arsimit të lartë. Ligji krijon struktura paralele që bllokojnë dhe i mbivendosen njëra-tjetrës. Konkretisht, ligji nuk ndan as kompetencat dhe as përgjegjësitë midis institucioneve të zgjedhura akademike dhe administrative në universitet. Rektori dhe Senati si autoritetet më të larta akademike të zgjedhura, praktikisht nuk kanë kompetencat e mjaftueshme për ta kryer misionin për të cilin janë zgjedhur. Senati dhe rektori nuk kanë asnjë instrument ligjor për t’u kërkuar llogari organeve të administrimit financiar që duhet thjesht të zbatojnë politikat, strategjitë dhe vendimmarrjet akademike. Nga ana tjetër, Rektorati përcaktohet në ligj si organ kolegjial, por pa funksion të qartë juridik. Ndërsa Asambleja Akademike, edhe pse shfaqet disa herë në ligj, nuk është, edhe ajo e përcaktuar juridikisht.

Organet e zgjedhura prej saj nuk japin më llogari para saj për asnjë aspekt të funksionit akademik apo financiar. Përfaqësuesit e Bordit, të zgjedhur nga Senati, pas zgjedhjes nuk mund të shkarkohen nga Senati, por nga Ministria, çka i bën ata palë me qeverinë dhe jo përfaqësues të interesave të UT-së. Bordi dhe Administratori shfaqen si autoritete absolute që kanë, madje, të drejtë të miratojnë paraprakisht edhe statutin e UT-së para se ai të kalojë për miratim në Senat.

Përfaqësuesit e Forumit u shprehën se kjo situatë e krijuar nga ligji është rënduar nga përfaqësuesit e qeverisë në Bordin e Administrimit. Ata kanë bashkuar votat dhe qëndrimet e tyre me grupe interesi klanor brenda UT-së, duke e rënduar gjendjen kaotike që shkakton ligji. Edhe qëndrime të tjera të qeverisë, të cilat kanë qenë të njëanshme e kanë zhbalancuar situatën. Përfaqësuesit e Forumit i kërkuan ministres shkarkimin e anëtarëve të bordit përfaqësues të qeverisë si pjesë e përgjegjësisë për pengimin e veprimtarisë akademike të UT-së.

2. Përfaqësuesit e Forumit i kërkuan ministres reflektimin për domosdoshmërinë e disa amendimeve ligjore të ligjit të arsimit të lartë, për ato pjesë ku ky ligj ka rezultuar që tani me pasoja të rrezikshme për arsimin e lartë, konkretisht:

a. Për ridefinimin ligjor të funksioneve dhe përgjegjësive institucionale mes autoriteteve drejtuese akademike dhe autoriteteve administruese financiare

b. Për autonominë financiare dhe akademike

c. Për të drejtat e studentëve

d. Për statusin e profesorit dhe pedagogut

3. Përfaqësuesit e forumit i shprehen ministres nevojën për një rikonceptim të statusit dhe të drejtave të studentëve. Studentët, sipas përfaqë- suesve të Forumit, duhet të kenë të drejtën për të marrë dy ose më shumë diploma. Në diskutim u tha se formula e financimit të universiteteve publike që po zbatohet aktualisht, sipas së cilës shteti pakëson të ardhurat nga buxheti, bie mbi studentët të cilët detyrohen të paguajnë më shumë taksa për ndjekjen e studimeve. Gjithashtu, në takim u kërkua me forcë krijimi i kushteve të studentëve për aksesin në literaturë përmes teknologjizimit dhe krijimit të një biblioteke të madhe multimediale universitare. Në takim u kërkua që qeveria të hartojë politika dhe strategji për t’i bërë të vlefshme diplomat universitare në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të punës.

4. Statusi i profesorit dhe pedagogut ishte një pikë tjetër e diskutimit me ministren Nikolla. Ligji aktual i arsimit të lartë e ka bërë profesorin dhe pedagogun një punonjës ndërmarrje pa asnjë ndikim në funksionimin akademik të institucionit ku punon. Duke luajtur me idenë e një demokratizimi fals ky ligj e redukton profesorin në një votë vetëm për të zgjedhur njëherë në katër vite organet drejtuese. Përfaqësuesit e Forumit kërkuan me ngulm, së pari, garantimin e plotë dhe të menjëhershëm të grantit të pakushtëzuar të mësimdhënies që do të mundësojë pagesën e plotë të pagave dhe të gjitha orëve mësimore si dhe barazimin e pagave të pedagogëve shqiptarë me ato të vendeve të rajonit. Në takim u tha se kur qeveria ka paraqitur ligjin për arsimin e lartë bashkë me të ka paraqitur edhe “Kartën e gjelbër”, sipas së cilës suksesi i ligjit do të varej nga rritja progresive e buxhetit të shtetit për arsimin e lartë. Meqenëse kjo rritje nuk ka ndodhur, ligji është i destinuar të dështojë

5. Përfaqësuesit e Forumit kërkuan transparencën dhe kontrollin e aktivitetit financiar gjatë dhjetë viteve të fundit. Përfaqësuesit e Forumit shprehen shqetësimin se konstatimet dhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk janë marrë në konsideratë asnjëherë nga Ministria.

6. Përfaqësuesit e Forumit shprehen shqetësimin për tjetërsimin e pronave të Universitetit Publik, gjë që përbën një shkelje ligjore si p.sh. rasti i terreneve sportive të dhëna Bashkisë së Tiranës. Ata kërkuan hetimin e rasteve dhe reagimin e menjëhershëm. Në fund të takimit u vendos me mirëkuptimin e të dyja palëve që problemet e ngritura dhe kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e forumit të analizohen nga ana e Ministrisë së Arsimit deri më dt.10 mars, datë ku Ministria duhet të kthejë një përgjigje të formalizuar.

Varësisht përgjigjes dhe reagimit ndaj shqetësimeve të kërkesave tona nga ana e Ministrisë, Forumi do të ndërmarrë hapat e mëtejshëm për realizimin e kërkesave, me të gjitha mjetet demokratike, përfshi edhe mundësinë e një greve të përgjithshme.