AKTUALITET, 26 Korrik 2019, 09:09

Pas kthimit nga Haga, Haradinaj mbledh sot qeverinë

Pas kthimit nga Haga, Haradinaj mbledh sot qeverinë


Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj është kthyer nga Haga në Kosovë mbrëmë pak para mesnatës.

Pas kthimit në Prishtinë Haradinaj ka kërkuar mbledhjen e Qeverisë e cila do të mbahet sot në orën 14:00.

Ai deklaroi se duhet t’i kthehen punëve si qeveri në dorëheqje pasi nuk guxojnë që të lënë vendin në vakum qeverisës.

“Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakumit qeverisës”, deklaroi Haradinaj.

Megjithëse ka të atillë që mendojnë se mbledhja e qeverisë dhe kryerja e detyrave pas dorëheqjes është jo kushtetuese, Haradinaj ka ftuar që të njëjtit t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes është jo kushtetuese.

Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj”, përfundoi Haradinaj.

Ramush Haradinaj më 24 korrik për rreth një orë u intervistua nga prokurorët e Gjykatës Speciale.