AKTUALITET, 23 Prill 2020, 16:18

Partitë opozitare me deklaratë të përbashkët: Prokuroria të hetojë tenderat gjatë emergjencës së Covid

Partitë opozitare me deklaratë të përbashkët:

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur sot në një takim në ambientet e selisë blu, aleatët opozitarë. Basha ka mbledhur në një takim Fatmir Mediun, Dashamir Shehin, Shpëtim Idrizin, ndërsa përfaqësues nga Lëvizja Socisliste për Integrim ka qenë Petrit Vasili.

Pas përfundimit të takimit. Koalicioni Opozitar ka dalë në një deklaratë të përbashkët, ku kanë kërkuar që Prokuroria të nisë në mënyrë urgjente hetimin për çdo rast korrupsioni që ka ndodhur dhe është denoncuar gjatë periudhës së emergjencës së Covid-19.

Ndër të tjera, në deklaratë Koalicioni Opozitar bën thirrje për rishikimin urgjent të paketave gjysmake ekonomike, në mënyrë që askush që është prekur nga kriza, si dhe të mos përjashtohet nga ndihma si dhe për anullimin e menjëhershëm të koncesioneve.

Opozita shton gjithashtu se kjo krizë e rëndë konfirmoi se për kryeministrin Edi Rama prioritet janë një grusht klientësh, me të cilët grabit taksat e shqiptarëve dhe që në vend që të financojë ekonominë për të mos mbyllur vendet e punës, ai, sipas Opozitës, zgjedh të vazhdojë pagesat prej mbi 100 milonë euro për disa koncesione korruptive.

Deklarata e partive opozitare

Në këto ditë të vështira për çdo shqiptar dhe në kushtet e një krizë të paprecedentë shëndetësore dhe ekonomike, shteti duhet të jetë pa asnjë vonesë dhe asnjë mëdyshje në krah dhe në funksion të shëndetit dhe të mirëqënies së njerëzve kudo ku ata ndodhen.

Me shqetësimin më të madh për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, për ne është e papranueshme që 6 javë pas shpërthimit të epidemisë, qeveria:

1. Ka bërë mesatarisht vetëm 110 teste në ditë, për mbi 2,6 milionë banorë.

2.Ka lënë jashtë ndihmës financiare mbi 750 mijë qytetarë dhe nuk ka shpërndarë ndihmën e premtuar për mijëra të tjerë.

3. Nuk ka akorduar fonde të mjaftueshme për përballimin e krizës, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon.

Koalicioni opozitar vlerëson se qeveria është treguar e paaftë dhe ka dështuar për të menaxhuar në mënyrën e duhur situatën e krijuar nga koronavirusi.

Të gjitha faktet tregojnë se qeveria po improvizon dhe se nuk ka asnjë strategji për daljen nga kriza. Regjimi i facebook-it ka suprimuar çdo vendimarrje përmes institucioneve.

Gjatë 6 javëve, qeveria kërkoi sakrifica vetëm nga qytetarët, por nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për vete.

Lufta e qeverisë duhet të jetë me virusin dhe pasojat e tij dhe jo me qytetarët. Por deri më sot prioritet i qeverisë ka qenë gjobitja e qytetarëve dhe jo testimi, kufizimi kaotik i lëvizjes dhe jo transparenca, kërcënimi me burg dhe jo bashkëpunimi, braktisja e njerëzve në nevojë dhe jo ndihma për ta.

6 javë pas nisjes së emergjencës, numri zyrtar i të infektuarve të sotëm mbetet i lartë si në ditët e para të pandemisë. Qeveria refuzoi mbylljen e fasonerive dhe bizneseve të tjera me risk të lartë infektimi dhe i ktheu ato në vatra përhapje, siç vërtetojnë rastet në Krujë, Kurbin, Kamëz dhe Shkodër.

Kjo krizë e rëndë konfirmoi se për kryeministrin prioritet janë një grusht klientësh, me të cilët grabit taksat e shqiptarëve. Në vend që të financojë ekonominë për të mos mbyllur vendet e punës, Edi Rama zgjedh të vazhdojë pagesat prej mbi 100 milonë euro për disa koncesione korruptive.

Koalicioni opozitar bën thirrje për rishikimin urgjent të paketave gjysmake ekonomike, në mënyrë që askush që është prekur nga kriza, të mos përjashtohet nga ndihma si dhe për anullimin e menjëhershëm të koncesioneve.

Koalicioni opozitar kërkon transparencë për çdo qindarkë të shpenzuar për përballimin e krizës dhe kërkon hetimin urgjent të rasteve të korrupsionit të bëra publike. I bëjmë thirrje qeverisë të bëjë publike kontratat e klasifikuara sekret, dhe i kërkojmë Prokurorisë të nisë hetimin urgjent të rasteve të korrupsionit të bëra publike gjatë emergjencës. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë sesi po shpenzohen paratë e taksave të tyre për të cilat kanë aq nevojë sot.