AKTUALITET, 23 Prill 2020, 16:13

Shpallja e Metës "tradhtar" dhe rikthimi tek "ngjalat", një operacion propagande që i shërben më së miri Edi Ramës

Shpallja e Metës "tradhtar" dhe rikthimi tek "ngjalat",

Ditët e fundit, opinioni publik po vlon nga dyshimet, se Presidenti Ilir Meta, e ka gjetur gjuhën e bashkëpunimit me Edi Ramën dhe se mes tyre ka një marrëveshje të fshehtë.

Të gjitha këto aludime, nisën për shkak se Meta vendosi te dekretojë ndryshimet në Kodin Penal, të votuara nga mazhoranca dhe disa deputetë të opozitës së re.

Vetë presidenti i ka argumentuar këtë veprime, me nevojën për të mbushur një boshllëk në Kodin Penal dhe ka thënë se i gjendur përballë dy opsioneve, ai ka preferuar të rekomandojë ndryshime në versionin e parë të mazhorancës, se sa ta refuzonte atë dhe qeveria ta miratonte gjithsesi.

Pavarësisht këtyre shpjegimeve të Metës, vetë Rilindjes duket se po i shkon për shtat një fushatë për ta portretizuar presidentin, si pazarxhiun, që shkeli mbi Kushtetutën dhe mori pazarin e rradhës.

Në mediat pranë qeverisë, gjenden publikime të shumta, që i mëshojnë kësaj linje, deri tek të gjitha memet që ka prodhuar populli i rrjeteve sociale, për ta shpallur presidentin tradhtar.

Kjo fushatë ka për qëllim, jo vetëm të delegjitimojë përpara publikut, Ilir Metën, që deri dje ndërmerrte aksione në mbrojtje të Kushtetutës, por edhe të shtojë paranojën në rradhët e opozitës së Bashës, që për të thënë të vërtetën, në raste të tilla, i ndodh një “shushatje” e pashembullt.

Për të kuptuar nëse mes Metës dhe Ramës është rikthyer koha e ngjalave, do të duhen më shumë prova, se sa thjesht dakordësia për ndryshimet në Kodin Penal.

Së pari sepse siç e ka shpjeguar Presidenti, ekziston një ndryshim real mes versionit të parë, që kërkonte të miratonte Edi Rama, dhe versionit të ndryshuar me ndërhyrjen e tij, ku duket se dënimet janë për personat që e përhapin virusin me dashje, kur kanë njohuri të plotë se janë të infektuar dhe shkaktojnë vdekjen e të tjerëve, etj, etj.

Por, nëse do ta shohim veprimin e Metës nga një pikëpamje tjetër, atë politike, imagjinoni sikur Presidenti, në mes të kërcënimit nga koronavirusi, të mos kishte ndërhyrë për të bërë ndryshime në draftin e parë dhe thjesht ta refuzonte atë.

Imagjinoni se cfarë akuzash do të ngriheshin në drejtim të tij, se si ai po vë në rrezik jetën e qytetarëve në mes të pandemisë. Se si Presidenti nuk është i përgjegjëshëm dhe mendon vetëm për luftën politike. Apo ndoshta deri tek akuzat më ekstreme, se presidenti me aktin e tij, po synon të vrasë popullin.

Dhe në fund, sigurisht, Rilindja do t’i miratonte sërish ato ndryshime, me apo pa pëlqimin e Ilir Metës, me apo pa ndërhyrjet e tij.

Ndaj, edhe pse Presidenti, me piruetat e tij të shpeshta, nuk ngjall idenë e një politikani të qëndrueshëm, do të na duheshin shumë më tepër prova, për ta akuzuar atë, se po futet sërish në shtrat me Edi Ramën. Pra, do të duhet thjesht pak më tepër kohë, për të kuptuar se ç'po ndodh mes të dyve.

Megjithatë, propaganda e qeverisë, po bën një punë të lavdërueshme, për t’i ngritur dyshimet në qiell dhe pikërisht në këtë kohë, kjo gjë i shërben më së miri Edi Ramës.

/TPZ.al/