AKTUALITET, 7 August 2026, 21:18

Qytetarët e Memaliajt dhe Rrogozhinës në protestë kundër planit të qeverisë për shkrirjen e bashkive

Banorët e Memaliajt kanë dalë sërish në protestë kundër projektit të ri të ndarjes territoriale, i cili parashikon bashkimin e Bashkisë së Memaliajt me Bashkinë e Tepelenës.

Kjo është protesta e dytë radhazi e organizuar nga qytetarët, të cilët kundërshtojnë ndryshimet e propozuara dhe kërkojnë që Memaliaj të ruajë statusin e tij si njësi vendore më vete.

Protestuesit shprehen se bashkimi me Tepelenën do të ndikojë negativisht në përfaqësimin dhe zhvillimin e zonës, ndërsa i bëjnë thirrje qeverisë që të rishqyrtojë projektin e ndarjes territoriale.

Banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat edhe në ditët në vijim, nëse kërkesat e tyre nuk do të merren në konsideratë.

Ndërkohë, edhe qytetarët e Rrogozhinës janë mbledhur në Parkun e Qytetit për të protestuar kundër ndryshimeve të propozuara në ndarjen territoriale, duke kundërshtuar mundësinë që Bashkia e Rrogozhinës t’i bashkohet Bashkisë së Kavajës.

Me pankarta në duar dhe thirrjen “Rrogozhina është e jona”, protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj projektit, duke kërkuar që bashkia të ruajë statusin dhe identitetin e saj administrativ.

Gjatë protestës, qytetarët u kanë bërë thirrje përfaqësuesve të qeverisë që të vizitojnë Rrogozhinën dhe të dëgjojnë nga afër shqetësimet e banorëve.

Sipas protestuesve, Bashkia e Kavajës përballet me problematika të shumta dhe nuk mund të përballojë njëkohësisht edhe nevojat e Rrogozhinës.

Ata kërkojnë anulimin e projektligjit për ndarjen territoriale, duke theksuar se Rrogozhina duhet të mbetet një bashki më vete, me përfaqësimin dhe administrimin e saj.

Qytetarët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga autoritetet.