SPORT, 20 Qershor 2018, 22:04

Një gol i çuditshëm i jep fitoren Spanjës, por Irani mbetet në lojë

Një gol i çuditshëm i jep fitoren Spanjës, por Irani

Një gol i çuditshëm i Diego Kostas në pjesën e dytë (54') i ka dhënë sot Spanjës suksesin 1-0 ndaj Iranit, që e afron skuadrën e drejtuar nga Hierro me kualifikimin e mëtejshëm.

Spanjollët kanë dominuar përballë skuadrës aziatike, sidomos në pjesën e parë kur kjo e fundit ishte e tërhequr plotësisht në mbrojtje duke ruajtur rezultatin. Për të bërë diferencën mendoi përsëri i zakonshmi Diego Kosta, i cili e kërkoi golin me forcë dhe e gjeti atë me një devijim fatlum, pasi një mbrojtës po mundohej të largonte sferën nga zona.

Irani u zgjua pas disavantazhit dhe u mundua të rrezikonte portën kundërshtare duke arritur edhe të dërgonte topin në rrjetë. Por Spanjën e shpëtoi VAR, pasi goli u anulua me të drejtë për pozicion jashtë loje.

Në fund, Spanja festoi fitoren, por për kualifikimin duhet të presë ndeshjen e fundit, atë përballë Marokut të eliminuar. Ndërsa Irani ka ende shpresa, pasi ndjek dyshen Spanjë-Portugali me 1 pikë diferencë dhe nëse arrin të bëjë surprizën përballë Ronaldos në ndeshjen e fundit, do ta shohë veten në turin tjetër.