AKTUALITET, 5 Janar 2018, 13:26

Nis mbledhja e KQZ për mandatet e dy deputetëve, Rehovicës dhe Rakipit

Nis mbledhja e KQZ për mandatet e dy deputetëve, Rehovicës dhe

Ka nisur mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të cilën do të vendoset për lënien ose jo të mandatit, dy deputetëve: Gledjon Rehovica të LSI-së dhe  Aqif Rakipi të PDIU-së.

Në  mbledhje do të shqyrtohet materiali shtesë që iu kërkua Prokurorisë së Përgjithshme për dy deputetët lidhur me verifikimin  që ajo kishte kryer ndaj tyre në kuadrin e ligjit të dekriminalizimit.

Rehovica dhe Rakipi rezultojnë të ndaluar në Itali për vjedhje nën emra të rremë e të ndaluar nga drejtësia Italiane. Zbulimi i tyre është bërë përmes krahasimit të gjurmëve të gishtave nga Interpol Tirana dhe Interpol Roma.

Në raportin e Prokurorisë shkruhet se deputeti Aqif Rakipi është ndaluar në Itali për vjedhje në 3.11.1998 nën emrin Skënder Ejylbegaj dhe këtë ai s'e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit.

Po ashtu, Gledjon Rehovica, nën emrin Kusta Mina, është raportuar për vjedhjen e një dyqani në Itali në 27.02.1999, fakt që s'e ka deklaruar në kuadrin e ligjit të dekriminalizimit. Avokatët kanë kundërshtuar materialet e ardhura nga prokuroria. Sipas Theodhori Sollakut, ato materiale janë në shkelje të ligjit.