AKTUALITET, 26 Prill 2019, 12:37

Në kërkim për vrasjen e Bilalajve, ky është Ibrahim Lici/ “Tmerri” i tregtarëve dhe hasmëria me Bajrat


Ibrahim Lici, është shpallur në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, që ndodhi një muaj më parë. Lici është djali i Mustafa Licit, anëtarit demokrat të Këshillit Bashkiak në Shkodër.

Fisi Lici prej vitesh janë në hasmëri me fisin “Bajri” dhe pikërisht këto konflikte dyshohet se kanë sjellë vrasjen e dyfishtë.

Por 26-vjeçari nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Dy vite më parë, atëherë 24 vjeç, ai u arrestua gjatë një operacioni nga policia në kryeqendrën e veriut, si “truri” i një bande gjobëvënësish.

Së bashku me kushëririn e tij, Muhamet Licin, Ibrahimi qëndronte në krye të këtij grupi që ishin kthyer në tmerrin e tragtarëve të Shkodrës dhe i detyronin ata të paguanin shuma nga 1000 deri në 3000 lekë të reja në muaj.

Si pjesë e këtij grupi kriminal u arrestuan gjithsej 9 persona. Lici u la i lirë disa muaj pasi u arrestua dhe u la në paraburgim, pasi edhe vetë tregtarët, që i kallëzuan, kërkuan lirimin e tyre me pretendimin se banda i mbronte nga keqbërësit e tjerë.

Ibrahim Licit i ekzekutuan xhaxhain, Fatbardh Licin në gusht të vitit 2018 në qendër të Shkodrës.

Në muajin janar të vitit 2018 iu bë një atentat me tritol Lul Kullës, kunatit të Fatbardh Licit, të cilit ai i mbijetoi.

Policia e Shkodrës njoftoi sot se ka zbardhur ngjarjen ku mbetën të vrarë dy vëllezërit. Në pranga kanë rënë Arsen Stojku 29 vjeç dhe Myslim Rama, 23 vjeç, si dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë, mes të cilëve edhe Ibrahim Licin, i dyshuari kryesor për ngjarjen.

Të dy të arrestuarit, bashkë me dy shokë të tyre, dyshohet të kenë organizuar vrasjen e vëllezërve Biliali në Shkodër.