TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Perëndimi ka rënë dakord për vendosjen e sanksioneve të reja ekonomike ndaj Rusisë.
Bashkimi Europian, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia dhe Kanadaja, kanë vendosur të shkëpusin disa nga bankat ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave, SWIFT.
Ky konsiderohej një nga sanskionet më të rënda, që pritet të godasin ekonominë ruse.
Ata kanë bërë një deklaratë, ku dënojnë agresionin rus ndaj Ukrainës.
"Ndërkohë që forcat ruse sulmojnë Kievin dhe qytete të tjera të Ukrainës, ne jemi të vendosur të vijojmë të imponojmë kosto ndaj Rusisë, të cilat do ta izolojnë më tej Rusinë nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe nga ekonomitë tona.
Masat që do të implementohen në ditët në vijim, përfshijnë përjashtimin e një një numri bankash ruse nga sistemi i mesazheve Swift.
Kjo do të bëjë që këto banka të jetë të shkëputura nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe do të dëmtojë mundësinë që ato të operojnë në mbarë globin", thuhet në deklaratë.
Sistemi SWIFT nuk është i vetmi sanksion i lajmëruar nga perëndimi. Aleatët perëndimor janë zotuar të vendosin masa kufizuese ndaj Bankës Qëndrore të Rusisë, në mënyrë që ajo të mos përdorë rezervat ndërkombëtare, për të zbutur impaktin e sanksioneve.
Fillimisht disa vende, përfshirë Gjermaninë, ishin hezituese ndaj përjashtimit të bankave ruse nga SWIFT, por duket se tashmë Rusia, do të përballet me sanksione më të ashpra, të cilat do ta dëmtojnë sistemin bankar duke shtuar kostot dhe vonesat.
Më herët, Gjermania e paralajmëroi se ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj këtij sanksioni.
"Ne jemi duke punuar urgjentisht për të limituar dëmet kolaterale, nga heqja e SWIFT, në mënyrë që të ndikojë tek njerëzit e duhur. Ajo çfarë na nevojitet, është një kufizim i targetuar dhe funksional i SWIFT", paralajmëruan në një deklarate të përbashkët, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck.
Fill pas agresionit të paprecedent rus ndaj Ukrainës, është diskutuar përjashtimi i Rusisë nga SWIFT, si një sanksion shumë i rëndë që do të godiste ekonominë e këtij vendi.
SWIFT është sistemi i mesazheve që bankat përdorin për të kryer pagesa të shpejta dhe të sigurta ndërkombëtare. 11 mijë banka në mbarë globin janë të lidhura me këtë sistem.
Në vitin 2020, rreth 38 milionë transaksione dërgoheshin çdo ditë përmes platformës Swift, duke lehtësuar marrëveshjet me vlerë prej triliona dollarësh.