NË FOKUS, 30 Janar 2022, 12:34

Tekstilet e këpucët “mbyten” nga kërkesat për punë nga “Dolce Gabbana”, “Clarks”, “Geox”!

Tekstilet e këpucët “mbyten” nga kërkesat për

Në këtë fillimviti, fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve po përballen me rritje deri në 200% të porosive, si rrjedhojë zhvendosjes së prodhimit, pas problematikave që po vijnë nga zinxhirët e furnizimit nga Azia dhe çmimet e larta të transportit.

Emra të njohur të industrisë së modës, si “Polo”, “Clarks”, “Geox”, “Dolce Gabbana” po rrisin porositë në Shqipëri, por fabrikat po kthejnë shumicën e tyre mbrapsht, për shkak të mungesës së punonjësve. Por kërkesa po shtyn përpara investimet në teknologji dhe në ciklin e mbyllur. Fabrikat po përzgjedhin mes kërkesave ato me çmime më të larta, si dhe po rrisin administrimin e burimeve njerëzore.

Emra të njohur të botës së modës në prodhimin e veshjeve si “Polo”, këpucët “Clarks”, “Geox”, “Dolce Gabbana”, “Gian Franco Ferre”, “Zara”, “Triumph”, “Wolf Lingerie”, për veshje të brendshme e shumë të tjera, dy vitet e fundit kanë shtuar kërkesën për të prodhuar në Shqipëri, në atë masë sa fabrikat shqiptare nuk mund t’i përballojnë.

Për herë të parë pas shumë vitesh, industria shqiptare e tekstilit po kthen mbrapsht porositë, ose ka luksin të përzgjedhë ndërmjet tyre, duke u fokusuar te markat që sjellin më shumë fitime. Ajo që nuk ka ndodhur prej tre dekadash, mund të ndodhë tani, që të krijohet klasteri për veshje dhe këpucë për produkte mbi mesataren dhe Shqipëria të dalë njëherë e mirë nga prodhimet fason me porosi të fragmentuar dhe nga klientë që kërkojnë vlerë të ulët.

Është momenti që fabrikat e veshjeve dhe këpucëve të negociojnë me partnerët e mëdhenj dhe të vendosin çmime dinjitoze, me të cilat të mund të përballojnë mirëmbajtjen e fuqisë punëtore, që është kthyer në problem dhe po pengon zgjerimin e industrisë.

Kërkesa për të prodhuar në Shqipëri nuk është e kufizuar vetëm për sektorin veshjeve dhe këpucëve. Industria ushqimore dhe ajo automjeteve janë në fokus të klientëve të huaj, të cilët po vuajnë problematikën e zinxhirëve të furnizimit nga vendet aziatike.

Porositë nga jashtë, në disa fabrika, janë rritur me 200%

Kompania SAM, që operon në sektorin e konfeksioneve dhe tekstileve, nga të parat që ka realizuar ciklin e mbyllur, do të zgjerojë me 50% prodhimin këtë vit, për të përballuar vetëm një pjesë të kërkesës, që administratorja Mimosa Vojka ka nga tregu ndërkombëtar për porosi në Shqipëri.

SAM, që prodhon produkt të gatshëm, bazuar në inovacion, ku mbizotërojnë proceset e automatizuara, ndërsa shitjet bëhen kryesisht me porosi nga interneti, tha se, kërkesa këto kohë është më e lartë se mundësitë për zgjerim. Gjergj Liqezja, i cili zotëron fabrikën e prodhimit të veshjeve “Madish”, tha se është rritur kërkesa për veshje të brendshme për markat e njohura si “Triumph”, “Wolf Lingerie”.

Në të njëjtat kushte janë pothuajse të gjitha fabrikat në industrinë tekstile, si ato me cikël të mbyllur, edhe ato që punojnë me porosi. Ato po përballen me kërkesë jo të zakontë pas pandemisë, e cila po nxitet edhe nga problematika në zinxhirët e furnizimit nga vendet e largëta të Azisë. Kostot e larta të transportit dhe në shumë raste, vonesat e dërgesave, kanë krijuar boshllëqe në tregje.

Kërkesa e lartë për mallra pas pandemisë nxori në pah logjistikën e dobët të transportit. Menjëherë u shfaq mungesa e punonjësve të transportit detar, anije të pamjaftueshme, mungesë e theksuar kontejnerësh, etj. Mungesat sollën amulli në transportet ndërkombëtare, me çmime të larta, vonesa, ngatërresa të dërgesave dhe në finale, një valë në rritje çmimesh për të gjithë artikujt.

Shumë kompani europiane tani kanë nisur diversifikimin e burimeve të prodhimit, duke sjellë një pjesë të prodhimit në “shtëpi”. Kjo situatë e paralajmërua që në fillim të pandemisë, kur bota u fut në karantinë totale dhe sistemet shëndetësore u gjendën pa furnizime të mjaftueshme maskash dhe veshjesh mjekësore.

Për Europën, “Ballkani” mund të ishte “Fabrika” e kontinentit dhe Shqipëria, me përvojë të admirueshme në fushën e tekstilit, do të ishte një përfituese e madhe. Mirëpo emigrimi i lartë i fuqisë punëtore dhe sidomos të rinjve dhe deficitet në teknologji po pengojnë industrinë të rrisë përfitimet.

Kërkesa e lartë po nxit transformimin teknologjik

Kompania Prodyn, nga më të mëdhatë në vend për prodhimin e këpucëve dhe si ajo, shumica e fabrikave të tekstilit dhe të këpucëve në vend, janë duke investuar në teknologji dhe në ambiente, në mënyrë që të shtojnë volumin e prodhimit dhe të rrisin cilësinë me të njëjtin numër punonjësish.

Zonja Eva Laro, e cila zotëron fabrikën Prodyn, pohoi se, aktualisht po përballet me kërkesë të pazakontë për këpucë nga kompani prestigjioze. Ajo është në negociata për të ofruar një emër të madh të tregut europian për prodhim me cikël mbyllur. Kontrata, e cila është në fazën e negocimit, pritet të nisë nga zbatimi që këtë vit, ndërkohë zonja Laro do të investojë në teknologji në disa procese, si prestaria në mënyrë që të rrisë prodhimin. Thuajse të gjitha fabrikat janë duke bërë përpjekje të tilla.

Zonja Vojka, një nga pionierët e ciklit të mbyllur, ndër të paktat që përdor teknologji të përparuar në ciklin e prodhimit, do të investojë më tej në teknologji. Ajo tashmë e ka provuar se investimet në teknologji kanë kthyeshmëri të sigurt, pasi garantojnë prodhime cilësore, eliminojnë skarcot dhe humbjet dhe rrisin fitimet.

Zonja Vojka tha se, kërkesa për veshje do të jetë gjithmonë në trend të natyrshëm rritës, përderisa popullsia globale është në rritje. Por pandemia COVID-19 dhe problematikat në zinxhirët e furnizimit, e kombinuar me përvojën e gjatë të Shqipërisë në industrinë fason, e ka rritur së tepërmi kërkesën për “Made in Albania” këtë vit.

Florian Zekja, nga Unioni i Fasonëve, tha se, qeveria duhet të zbatojë një plan për rimëkëmbjen e industrisë. Ai duhet të përqendrohet në transformimin e proceseve të prodhimit, duke u mbështetur në blerjen e makinerive të industrisë nëpërmjet rritjes së indeksit të amortizimit nga 20 deri në 40%. Kështu do të lehtësojmë barrën tatimore dhe kompanitë do të kenë më shumë likuiditet.

Unioni i Fasonëve kërkon këtë vit një paketë ndihme prej 50 milionë eurosh për manifakturën, për të përballuar kostot e ndërrimit dhe kalimit në linja prodhimi të reja (switching costs).

Fasonët kërkojnë që të zbatohet një program për “Inovacion dhe ekselencë në manifakturë”, i cili do të sigurojë trajnime në inovacion, dizajn, marketing, kërkim dhe zhvillim të produkteve fasone nëpërmjet mbulimit të kostove të trajnimit 100%. Kostot do të rimbursohen 50% direkt dhe 50% si dyfish të tatimit të zbritshëm ndaj shoqërive ku është i punësuar përfituesi.

Industria kërkon rritje të bashkëpunimit midis ndërmarrjeve të manifakturës, duke përfshirë edhe Universitetin Politeknik të Tiranës, për të përshpejtuar transferimet teknologjike. Zekja u shpreh se shumë prej këtyre kërkesave janë përfshirë në programin e qeverisë për këtë mandat por, fabrikat kërkojnë të zbatohet me urgjencë.

 

Pandemia dhe angazhimet për klimën, trendi i ri teknologjik edhe në Europë

Që para shumë shekujsh, industria tekstile ka qenë në pararojë të zhvillimeve teknologjike. Që në shekullin XVII u shpikën nga britanikët dhe u vunë në funksion makineritë e para që kryenin në mënyrë të pavarur tjerrjen dhe endjen.

Prej asaj kohe, teknologjia në sektorin e veshjeve dhe këpucëve është zhvilluar aq shumë, sa tani kompanitë po projektojnë nëpërmjet zhvillimit të teknologjisë veshjet e personalizuara, të cilat mund të porositen dhe të krijohen në ekrane të mëdhenj që firmat e mëdha të modës po i vendosin në dyqanet e tyre.

Problematikat që krijoi pandemia COVID-19 në zinxhirët e shitjes dhe prodhimit po përshpejtojnë zhvillimet teknologjike. Bashkimi Europian ka hartuar një strategji të re për sektorin e tekstilit dhe këpucëve, duke garantuar edhe mbështetje financiare për novacionin, edhe në kuadër të angazhimeve që janë marrë për një mjedis më të pastër, ku një ndotës i madh është edhe tekstili.

Fabrikat inteligjente të tekstilit, të automatizuara me proceset e reja të prodhimit dhe përdorimi i materialeve të avancuara, janë vetëm disa pika kryesore të transformimit teknologjik që po riformëson industrinë e tekstilit në Europë.

Para COVID-19, prodhimi i materialeve të avancuara ka përfaqësuar një fushë teknologjike, ku tekstili europian është patentuar më së shumti. Fushat e tjera të rëndësishme të teknologjisë përfshijnë Bioteknologjinë Industriale, që sugjeron rëndësinë e ekonovacionit.

Në epokën pas COVID, përdorimi i teknologjive dixhitale, mjedisore dhe të riciklimit do të bëhet kritike për mbijetesën dhe rinovimin e industrisë. Në veçanti, përdorimi i teknologjive për të revolucionarizuar analizën e inventarit dhe për të organizuar më mirë zinxhirin e furnizimit. Dizajni dhe prodhimi 3D janë duke u zhvilluar gjithashtu.

Pandemia po sjell një lulëzim të startup-ve që kanë si synim të ulin ndotjen në industrinë e modës. Startup-et kryesisht në Gjermani kanë gjetur se si mund të bëhet thurja dhe ngjyrosja dixhitale, si dhe disa mënyra se si të provohen veshjet pa shkuar në dyqan.

Po përshpejtohet mbyllja e ciklit

Fabrikat shqiptare të tekstilit dhe këpucëve prej gati 30 vitesh kanë rënë pre e dembelizmit dhe qëndrimit në vendnumëro, duke punuar me material porositësi për tregun italian, duke realizuar vetëm pak procese pune që paguhen pak dhe kryesisht kryhen nga fuqia punëtore.

Mirëpo pas pandemisë, gjeografia e porosive po ndryshon me shpejtësi nga vende si Gjermania, Britania e Madhe, Spanja dhe Portugalia. Kompanitë europiane po kërkojnë produkte të gatshme, pa asistuar shumë procese.

Fabrika e prodhimit të këpucëve Prodyn, e cila e nisi aktivitetin fillimisht me porosi nga Gjermania, tani ka realizuar 60% të procesit të prodhimit me ciklin e mbyllur. Eva Laro, e cila zotëron fabrikën, tha se shumë shpejt, brenda vitit 2023, pritet që 100% e prodhimit të jetë me cikël të mbyllur. Aktualisht, 50% të aktivitetit fabrika i ka prodhime për markën e njohur të këpucëve “Clarks”.

Cikli i mbyllur po zhvillohet me shpejtësi në të gjithë sektorin e veshjeve dhe këpucëve. Florian Zekja, nga Unioni i Fasonëve, pohon se, tani cikli i mbyllur po shtrihet në 50% të aktivitetit të prodhimit tekstil dhe të këpucëve në Shqipëri dhe me krizën e pandemisë ka përparuar me shpejtësi.

Para pandemisë, cikli i mbyllur, sipas Unionit ishte në nivelet 20-30%% të aktivitetit. Tani të gjitha kompanitë janë duke zgjeruar investimet në proceset e punës që realizojnë ciklin e mbyllur që nga dizenjatorët, makineritë dhe burimet njerëzore.

Midis kompanive që kanë mbyllur me sukses ciklin është “OLA 1”, e cila ka ndërtuar një fabrikë të standardeve europiane për sa i përket ambienteve të biznesit, makinerive, pajisjeve teknologjike dhe cilësisë së produkteve që hedh në treg.

Kompania aktualisht prodhon rreth 180 produkte kryesisht tekstil, me cikël të plotë, në masa, ngjyra dhe karakteristika të ndryshme, sipas kërkesave, të cilat i tregton në tregun vendas dhe tregun europian. Kompania operon nëpërmjet shitjeve me pakicë në katër pikat e shitjes në Tiranë, shitjeve elektronike në të gjithë botën dhe nëpërmjet shitjeve me shumicë, sipas kontratës së porosive, me dy kompani bashkëpunëtore në Gjermani dhe Suedi.

Mungesa e punonjësve pengesë, shtohen stimujt

Në krahasim me sektorët e tjerë, puna në fason konsiderohet skllavëruese për nga vështirësia, kohëzgjatja, ekspozimi ndaj ndotjes, shkelja e të drejtave të përcaktuara në Kodin e Punës dhe ndotja. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, në industrinë e tekstileve dhe këpucëve u punësuan rreth 57 mijë persona dhe paga mesatare ishte 31 mijë lekë, teksa ishin të regjistruara në tatime 684 fabrika.

Mosha mesatare e të punësuarve në sektor është 32 vjeç, por fabrikat po vuajnë mungesën e punonjësve dhe për këtë arsye, nuk po arrijnë të zgjerohen dhe të përfitojnë nga ritmet e larta të kërkesës. Fabrikat kryesore në vend pohojnë se këtë vit, kërkesa për prodhime në Shqipëri është rritur në shumë raste 200%, por ato mund të përballojnë vetëm një të katërtën, pasi mungon fuqia punëtore. Pagat e ulëta dhe puna e vështirë nuk i afrojnë të rinjtë që të punojnë në këtë sektor.

Në dekadën e parë të tranzicionit, fabrikat ishin zgjidhje për dyndjet që u krijuan nga zhvendosja e popullsisë nga rrethet drejt qendrës. Tani që imigrimi i brendshëm është maturuar dhe popullsia po shkon drejt plakjes nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë, nuk ka të interesuar për të punuar në fabrika. Të rinjtë janë të prirur të shkollohen ose të emigrojnë, në vend të punës në fasoneri.

Fabrikës Prodyn i nevojiten të paktën edhe 150 punonjës për të përballuar kërkesën, ndërkohë që operatorët e mëdhenj të sektorit po refuzojnë porosi pikërisht për këtë shkak. Situata duket se po vë nën presion bizneset e sektorit për të rritur vëmendjen ndaj burimeve njerëzore. Shumica po krijojnë departamente të posaçme për burimet njerëzore.

Po përmirësojnë mjediset e punës, ofrojnë udhëtime dhe disa vakte ushqimi falas, duke e mbajtur të shtrënguar stimulin nëpërmjet rritjes së pagës. Disa kompani që kanë mbyllur ciklin dhe prodhojnë veshje dhe këpucë mbi mesataren kanë aplikuar edhe rritje pagash. Gjatë vitit 2022, sektori fason do të përballet me sfidën e mungesës së punonjësve.

Kërkesa ka qenë në rritje, por shumë fabrika kanë refuzuar porositë për shkak të mungesës së punonjësve. Zekja tha se aktualisht, e gjithë industria ka nevojë edhe për 15 mijë punonjës shtesë, të cilët po synohet të zëvendësohen me aziatikë ose me punonjës nga Bangladeshi.

Në fabrikën Prodyn, kërkesa për këpucë e ka kaluar nivelin e vitit normal 2019, por fuqia punëtore në dispozicion është më e ulët. Pandemia pati ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët, sepse si pasojë e infektimeve dhe karantinave të gjata, punonjësit humbën lidhjen me vendet e punës. Por me rikthimin drejt normalitetit, i gjithë globi po përballet për një kërkesë jo të zakontë për mallra, ndërkohë që shumë punonjës kanë refuzuar të kthehen në punë pas pandemisë.

Laro nga Prodyn thotë se, sfida më e madhe janë punonjësit, ku shihet rënie e vazhdueshme e personave të rinj të interesuar për punë. Për të plotësuar nevojën për punonjës, Prodyn po ndërmerr një projekt të rëndësishëm, që është rritja e cilësisë/saktësisë së listës së personave të cilët rezultojnë të papunësuar, por që vërtet dëshirojnë të punësojnë dhe janë të aftë për të punuar (edhe pse pa aftësi teknike specifike), pasi ata mund të trajnohen nga qendra e trajnimit në fabrikë.

Sipas të dhënave të INSTAT dhe informacionit të zyrave të punës, numri i të punësuarve në sektorin e veshjeve dhe tekstileve është 57.330 persona. Mosha mesatare e fuqisë punëtore, të punësuar në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, është 32 vjeç. Sipas të dhënave zyrtare, të punësuarit në sektorin e tekstileve ndahen në 5% me arsim universitar, 20% me arsim të mesëm dhe 75% me arsim fillor.

Rreth 95% e të punësuarve në këtë sektor përbëhet nga gratë dhe vetëm 5% nga meshkujt. Rreth 97% e punëdhënësve, në sektorin tekstile dhe veshje, aplikojnë për programet e nxitjes së punësimit, në bashkëpunim me zyrat e punës dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Cikli i mbyllur nxit klasterat

Prodhimi i një veshje apo këpuce me cikël të mbyllur kërkon që fabrikat të marrin përsipër që nga dizajni, materialet dhe prodhimi. Finalizimi i një produkti, që nga ideja deri te prodhimi, kërkon angazhimin e burimeve njerëzore, me aftësi të thelluara dhe investime në sektorët mbështetës të industrisë. Për prodhimin e këpucës me cikël të mbyllur mund të nxitet përpunimi i lëkurës, prodhimi i lidhëseve, shojeve, penjve dhe shumë elementeve që duhen për realizimin e produkteve finale.

Ideja për krijimin e një klasteri në tekstile është hedhur para dy dekadash, por përparimi i ngadaltë drejt ciklit të mbyllur nuk ka mundur të çojë drejt një klasteri. Një shembull modest i miniklasterit është prodhimi i mobilieve në Nikël të Fushë-Krujës.

Zona, tashmë e njohur në këtë industri, ka zhvilluar në mbështetje të mobilieve, me prodhimin e sfungjerit, dyshekëve, linjat e tapicerive, aksesorëve, dizajnit dhe të gjithë ciklin që i duhet furniturës për shtëpi me target nivelin mesatar dhe poshtë saj.

Rritet kërkesa për prodhime miqësore me mjedisin

Ekonomia e Gjelbër ka në qendër industrinë tekstile, e cila është përgjegjëse për 10% të ndotjes globale, sipas të dhënave ndërkombëtare. Zonja Vojka nga fabrika SAM tha se, ka një kërkesë gjithnjë e në rritje për prodhime me riciklim. Zonja Vojka aktualisht realizon 30% të prodhimit me material të riciklueshëm, pasi ka bërë edhe investimet e nevojshme teknologjikë në këtë drejtim.

Sipas Greenpeace, prodhimi global i veshjeve u dyfishua gjatë 15 viteve të fundit. Një person me të ardhura mesatare blen 60% më shumë artikuj veshjesh çdo vit dhe i mban ato mesatarisht 3 vjet, duke gjeneruar një sasi të madhe mbetjesh. Por, nga ana tjetër, gati 100% e tekstileve dhe veshjeve janë të riciklueshme.

Veshjet vjetore të një familje kanë kosto në burimet sa 1000 vaska uji dhe emetojnë karbon sa 6000 kilometra të një makine mesatare. Por më shumë se 70% e popullsisë së botës përdor veshje të dorës së dytë. Rreth 50% e këpucëve dhe veshjeve të mbledhura përdoren si produkte të dorës së dytë.

Në vitin 2013, gjiganti suedez i shitjeve me pakicë të veshjeve “H&M” u bë kompania e parë në botë nga biznesi i modës që shpalli programin global të riciklimit të rrobave, që njihet si “Garment Collecting Initiative”.

Tani, kjo kompani që ka pasur ekspansion të shpejtë në Kinë, lejon klientët të dhurojnë veshje të tyre që nuk i duan në secilin dyqan në mbarë botën. Tani kompania 60% të prodhimeve të saj i ka me materiale miqësore me mjedisin. Fabrikat shqiptare tashmë kanë një kërkesë të shtuar për proceset riciklimit.

Rritja e çmimeve, sfidë për rritjen prodhimit

Me gjithë vështirësitë që po vijnë nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, rritja e kostove të transportit, rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe mungesa e punonjësve, industria fason pret rritje dyshifrore më 2022, si pasojë e rritjes së kërkesës nga partnerët seriozë që po synojnë të afrojnë prodhimin në Europë.

Industria fason këtë vit po përballet me sfidën e çmimeve të larta. Zekja tha se çmimet e pambukut që vjen Turqia janë rritur me 40%, gjithashtu janë rritur tej mase edhe çmimet e transportit, aksesorëve, makinerive dhe të gjitha lëndëve të para që i duhen industrisë. Nga ky vit, shumica e kompanive fason do të detyrohen të dalin në tregun e liberalizuar të energjisë.

Shumica e fabrikave do të dalin në treg në një kohë që çmimet në bursa janë 5-fishuar në një vit. Mirëpo nëse shfrytëzohen disa avantazhe, kjo mund të shndërrohet në avantazh, tha Zekja. Fabrikat e fasonit do të bashkohet në një ofertë unike për të zgjedhur një furnizues afatgjatë me çmime të leverdishme. Rritja e çmimeve do të gërryejë fitimet në bizneset e industrisë, teksa porositësit po synojnë të mbajnë çmimet nën kontroll.

Shqipëria është në një moment të mirë për të rritur kërkesën nga kompani serioze dhe marka të njohura të veshjeve dhe këpucëve europiane.

Pandemia shkëputi zinxhirët e furnizimit nga Azia. Zekja nga Shoqata e Fasonëve thotë se, fabrikat shqiptare po synojnë klientë me kërkesa cilësore dhe çmime të larta. Ai tha se për të përballuar kërkesën në kushtet e mungesës së punëtorëve, shumë fabrika po tentojnë automatizimin, për të cilin nevojitet një paketë ndihme nga qeveria.

Në 2021, tekstilet e këpucët nuk e kapën nivelin e parakrizës

Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend (me rreth 30% të totalit), po vazhdojnë të vuajnë më shumë se gjithë grupet e tjera pasojat e karantinave të Europës dhe ndryshimin e sjelljes konsumatore. Ndonëse me rritje prej 10% për 12 mujorin në raport me janar-dhjetor 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 4.8% më të ulëta në raport me 12 mujorin normal të 2019-s.

Eksportuesit pohojnë se sektori po vuan nga mungesa e porosive të reja, si rrjedhojë e krijimit të stoqeve gjatë karantinës së zgjatur. Problematikat e tyre janë shtuar dhe nga rritja e kostove, që e kanë të pamundura t’i transferojnë në çmime, që janë të fiksuara në kontratat me partnerët e huaj, kryesisht Italinë, si dhe nga mungesa e fuqisë punëtore. Negativisht ndikon dhe rënia e euros në tregun vendas, që i bën ata të arkëtojnë më pak para nga e njëjta sasi e shitur në euro

Për këtë vit, eksportuesit e tekstileve dhe këpucëve janë më optimistë. Me gjithë vështirësitë që po vijnë nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, shtrenjtimi i kostove të transportit e energjisë elektrike dhe mungesa e punonjësve, industria fason pret zgjerim dyshifror në vitin 2022, si pasojë e shtimit të kërkesës nga partnerët seriozë, të cilët po synojnë të afrojnë prodhimin në Europë./Monitor