TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Orët e mbrëmjes së të shtunës u kthyen në një makth për banorët e Krujës, pasi një zjarr masiv përfshiu territorin malor dhe u afrua rrezikshëm pranë zonave të banuara.
Flakët përfshinë sipërfaqe të mëdha me ullishte, pemë frutore dhe bimësi, ndërsa në disa momente zjarri kërcënoi banesat dhe bizneset. Tymi dhe flakët mbuluan zonën, duke detyruar strukturat e emergjencës të angazhonin një operacion të gjerë për mbrojtjen e qytetit.
Për shuarjen e zjarrit u ndërhy nga toka dhe ajri. Në terren u angazhuan mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, së bashku me 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Në operacion u përdorën 21 mjete zjarrfikëse, tre helikopterë, droni “Bayraktar TB2” dhe dy dronë me kamera termike të AKMC-së.
Forcat në terren punuan gjatë gjithë natës për të izoluar flakët dhe për të penguar përhapjen e tyre drejt banesave. Helikopterët vijuan ndërhyrjen edhe në zonat e vështira të malit, ku disa vatra mbetën aktive.
Zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme në ullishte dhe pemë frutore, ndërsa një magazinë biznesi u përfshi nga flakët dhe u dogj. Ndërkohë, dëmtimi i një linje të tensionit të lartë la pa energji elektrike banorët e Lagjes 2 të Krujës.
Pas një nate të gjatë përballjeje me flakët, situata në qytet është qetësuar. Zjarri është vënë nën kontroll në zonat pranë banesave, ndërsa një pjesë e mbetur e vatrave në majë të malit po menaxhohet nga ajri.
Pjesa më e madhe e forcave të angazhuara është rishpërndarë, ndërsa vijon monitorimi i territorit për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.
Ajo që ka mbetur pas është një panoramë e sipërfaqeve të mëdha të shkrumbuara, me ullishte, pemë frutore dhe bimësi të djegur. Fatmirësisht, nga zjarri nuk raportohet për humbje jete dhe asnjë banesë nuk rezulton e djegur.
Top Channel