TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Publikimi në portalin Newsbomb, i një video ku shfaqet efektivi i policisë, Berhan Bajrakurti, në momente intime, trazoi mbarë opinionin publik. Akuza e artikuluar nga një burim anonim, qe mjaft e rëndë. Newsbomb pretendoi se nëna e një 15 vjecareje, ka denoncuar, se efektivi ka ngacmuar të bijën seksualisht dhe se i dërgonte video me përmbajtje erotike.
Bajrakurti u arrestuar menjëherë pas publikimit të videos. Megjithatë, ende në polici nuk është paraqitur asnjë denoncues.
Drejtuesja e portalit Newsbomb, Anila Basha, ka deklaruar të martën në emisionin “Opinion”, se ajo nuk ka dijeni për identitetin e personit që e bëri denoncimin. Sipas Bashës, video është dërguar në rrjetet sociale nga një adresë anonime, e cila më pas është fshirë.
Kjo krijon dyshime, se denoncuesi mund të mos jetë një nënë e shqetësuar e një minoreneje, siç u pretendua fillimisht, por cilido person që ka interes që video të shfaqet në media.
Ngjarja e cila mori përmasa kombëtare, duke u trajtuar në të gjitha mediat e vendit dhe duke u bërë objekt diskutimi edhe tek politikanët më të lartë, mund të rezultojë thjesht një flluskë, ose siç thuhet në botën e medias, një fake news.
Por, pasojat e saj duket se janë mjaft të rënda. Efektivi Bajrakurti, është mbajtur në qeli dhe gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë për 30 ditë burg, deri në paraqitjen e provave. Kjo tregon edhe standartin provincial të drejtësisë, ku edhe pse nuk ka prova konkrete për ta ngarkuar efektivin në fjalë me një akuzë penale, ai vijon të mbahen në burg, vetëm për shkak të mediatizimit të çështjes dhe reagimit të opinionit publik.
Ky standart i burgosjes së një qytetari, me arsyetimin se provat do të zbulohen në ditët në vijim, është mjaft shqetësues. Gjyqi popullor ndaj oficerit Bajrakurti, duket se ka mbizotëruar dhe ka zëvendësuar një gjyq ku faktet duhet të ishin parë me objektivitet, pa mjegullën e rrjeteve sociale dhe paragjykimeve të opinionit publik.
/TPZ.AL/