TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Edi Rama, po zhvillon një vizitë disa ditore në Bruksel. Ditën e sotme ai është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Komisionit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini. Ajo që ka shkaktuar mjaft habi ka qenë deklarata e Mogherinit me lavdërime të jashtëzakonshme për kryeministrin Rama dhe lidershipin e tij.
Mogherini ka thënë se Shqipëria nën lidershipin e Ramës ka luftuar drogën dhe korrupsionin.
"Është një kënaqësi, të mirëpres sërish kryeministrin Rama, në një moment veçanërisht të rëndësishëm për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Nën lidershipin e tij, Shqipëria ka bërë punë të jashtëzakonshme, veçanërisht në Reformën e Drejtësisë, luftën kundër drogës dhe korrupsionit, një punë që ne e mbështesim e që duhet të vazhdojë përpara".
Kryeministri Rama, i veshur dhe i stolisur për këtë rast të posaçëm, qëndronte krah për krah Mogherinit dhe buzëqeshte hera herës. Stafi i tij e përktheu dhe shpërndau menjëherë këtë deklaratë, për t'i treguar sot Shqiptarëve të përmbytur dhe të papërmbytur, se kryeministri ka punuar dhe do të punojë shumë për këtë vend dhe se të gjithë kazanët, mendimtarët dhe opinionistët lokalë, duhet ta qepin gojën, sepse ka folur vetë zonja Mogherini, përfaqësuesja më e lartë e Bashkimit Europian.
Por shqiptarët, sot duhet të jenë të habitur dhe ndoshta të qeshin me deklaratën e zonjës së nderuar Mogherini. Së pari, sepse për vite me rradhë qeveria e Edi Ramës e ka mohuar kategorikisht problemin e madh të drogës dhe mbjelljen e vendit në çdo cep të tij me kanabis. Qytetarët e këtij vendi nuk mund ta kuptojnë se si Edi Rama ka luftuar drogën, kur bashkëpunëtori i tij më i afërt, ish ministri i brendshëm, akuzohet si drejtuesi i kartelit të drogës. Askush nuk mund të kuptojë se si Edi Rama ka bërë një punë të jashtëzakonshme në luftën kundër drogës, kur disa prej drejtuesve më të rëndësishëm të policisë së shtetit, janë të akuzuar si personat që kanë mundësuar trafikun e drogës dhe sot janë arratisur nga vendi. Si mund të jetë luftuar droga, kur segmentet më të rëndësishme të shtetit kanë udhëhequr dhe kanë bashkëpunuar me kartelet?! Është e vështirë t'u japësh sot përgjigje këtyre pyetjeve, por ndoshta zonja Mogherini e ka më të thjeshtë, sepse raportet që ajo ka lexuar nuk i kanë këto të dhëna, ose ajo vetë ka zgjedhur të mos i lexojë.
Zonja Mogherini, zgjodhi jo vetëm luftë ndaj drogës, si suksesin e kryeministrit Rama, por edhe luftën ndaj korrupsionit, jo vetëm duke e përjashtuar Edi Ramën apo qeverinë e tij si të korruptuar, por duke e shpallur atë si luftëtarin dhe armikun më të madh të korrupsionit. Shumë nga përfituesit e koncesioneve qindra milionëshe, ndoshta janë duke qeshur nga zyrat apo shtëpitë e tyre me këtë deklaratë.
Edhe pse shumë qytetarë sot mund të jenë ndjerë të fyer nga këto të pavërteta, deklarata e Mogherinit ka një të mirë, të paktën na bën për të qeshur...
(shih videon më poshtë, të shpërndarë nga stafi i Edi Ramës)
/TPZ.AL/
VIDEO: