AKTUALITET, 18 Prill 2018, 11:01

Mogherini i thotë JO shoferit, parakalon në bulevard drejt Edi Ramës

Hapa triumfalë hodhi këtë paradite shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogherini, kur e përshkoi në këmbë rrugën nga presidenca drejt kryeministrisë. Ecjes ia shtonte solemnitetin prezenca përreth saj e Romana Vlahutin, shefja e delegacionit të BE-së, zyrtarë të tjerë të huaj dhe një shpurë truprojash, që mbanin larg njerëzit e medias.

Sepse dhjetëra kameramanë dhe fotografë fiksuan këtë ecje të shkurtër drejt Edi Ramës, deri në hyrjen e kryeministrisë.

Në shkallët e godinës ku priste Edi Rama, pankartat që reklamonin “Providence”, ekspozitën e Ornela Vorpsit, ishin shtyrë më tej për t’i bërë vend ushtarëve të gardës, veshur me uniformën e kuqe.

Ditmir Bushati, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme doli ta priste shefen e diplomacisë së BE-së dhe delegacionin pas saj për ta shoqëruar brenda.

E drejta e autorit për një parakalim si ky në bulevard, është e pa asnjë dyshim e Edi Ramës. Kryeministrit i ka pëlqyer ta shohin duke ecur truimfalist, pasi ka marrë dekretin nga Presidenti për qeverinë e re. E ka bërë këtë parakalim dy herë, pas dy fitoreve në zgjedhjet parlamentare.

Për mazhorancën, dita e sotme thuhet se është akoma më e rëndësishme. Taulant Balla një ditë më parë e quajti vendimin më të rëndësishëm për Shqipërinë në 30 vitet e fundit.

Në festa të tilla, demokratët organizonin koncerte në sheshin Nënë Tereza dhe kërcenin nën ritmet e këngëve të Çiljetës. Për socialistët s’ka pasur nevojë për aq shumë zhurme. Sfilata e sotme dukej më fine dhe më bindëse për suksesin e qeverisë