AKTUALITET, 4 Mars 2019, 08:50

Mjekët i thanë se do jetonte deri 8-vjeç, historia e djalit shqiptar që po lufton me dëbimin në Suedi

Edion Bajraktari, është vetëm 13-vjeçar, shqiptar, që jeton në Suedi dhe vuan nga autizmi. Por familja e tij po përballet tashmë me një problem të madh, atë të dëbimit nga Suedia, pas një vendimi të nxjerre nga Këshilli i Migracionit suedez.

Historia e tij është bërë lajm në mediat vendase dhe ka tërhequr jo pak vëmendjen. Evri Bajraktari, 54 vjeçe, nëna e 13-vjeçarit mundohet t’i lehtësojë dhimbjen të birit, i ndërron pelenat dhe kur mundet e lëviz me karrocë. Ai është i dashur, nuk flet, por pëlqen të shikojë Tom dhe Jerry dhe të dëgjojnë këngë shqiptare në celular.

Ai vuan edhe nga mbledhja e ujit në kafke, që e bën edhe më të vështirë rastin. Nëna tregon se kur ishte 8-muajsh atij iu bë një ndërhyrje në kokë, pasi i mblidhte ujë.

Në Shqipëri, sipas nënës, nuk kishte ndihmën mjekësore që atij i duhej dhe shkuan në Suedi, por tashmë po përballen me dëbimin.

Nëna tregon se në Shqipëri mjekët kishin thënë se djali i saj do të jetonte deri në moshën 8-vjeçare. Por familja nuk u dorëzua, shkoi në Suedi në vitin 2012 kur djali ishte vetëm 7 vjeç.

Ata e provuan njëherë dëbimin, por u kthyen serish mbrapsht. “Në Shqipëri nuk do të marrë asnjë kujdes. Ndihemi sikur po presin ditën kur do na ndalojë frymëmarrja”, thotë Adana, motra e madhe.

Ndërkohë që Bordi i Migracionit i quan jo të mjaftueshme dokumentet për të qëndruar familja Bajraktari.