AKTUALITET, 8 Gusht 2019, 20:18

“Mbrojtën nipin e deputetit”,KSHH ‘kryqëzon’ policinë: E prangosën në krevatin e spitalit të dhunuarën nga Ramazan Rraja

“Mbrojtën nipin e deputetit”,KSHH ‘kryqëzon’



Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka publikuar përfundimet e monitorimit të rastit të nipit të deputetit Rrahman Rraja, Ramazani që dhunoi një femër në ambjentet e QSUT-së, ngjarje e cila bëri një bujë mediatike.

Në një status në faqen zyrtare në Facebook, KShH shkruan se e dhunuara nuk është identifikuar edne nga policia. Më tej ndër rreshta Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se vajza e dhunuar është mbajtur e prangosur në krevatin e spitalit.

Ata shprehen se nuk u është vënë në dispozicion asnjë lloj informacioni i kërkuar dhe lënë të nënkuptohet se efektivët e policisë kanë mbajtuar anën e Ramazan Rrajës, nipit të deputetit socialist Rrahman Rraja.

Vëzhguesit e KShH-së u informuan nga efektivët e Komisariatit të Policisë nr.4 se ndaj shtetasit R.Rr është bërë shoqërimi në orën 07:10 të dt.31 Korrik dhë është liruar rreth 3-4 orë më pas, për tu proceduar në gjendje të lirë. Edhe pse ky person është kapur në gjendje të flagrancës, menjëherë pas kryerjes së veprës penale, nuk rezulton që ai të jetë ndaluar apo arrestuar në flagrancë.

Komisariati i Policisë nr.4 Tiranë deklaron se ka referuar pranë Prokurorisë materialet për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të cilat përbëjnë kundravajtje penale. Është e paqartë se përse një shtetas që ushtron dhunë brutale në ambientet publike i referohet organit procedues për kundravajtje penale, për më tepër në kushtet kur viktima, në trupin e së cilës ndodhen shenjat dhe pasojat e dhunës është larguar dhe nuk është bërë as ekspertimi mjeko-ligjor i saj.

Sipas pamjeve filmike të publikuara në rrjetet sociale (të cilat janë fshirë më pas) rezulton se zonja është mbajtur në ambientet e urgjencës me pranga, para se të konfliktuohet dhe më pas dhunohet nga shtetasi R.Rr. Përfaqësues të këtij Komisariati kanë referuar se përdorimi i prangave është bazuar në ligjin nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”.

Por ndërkohë, KShH vëren se neni 133, pika 3 e këtij ligji nuk e legjitimon në mënyrë të shprehur përdorimin e prangave në ambientet e spitalit por parashikon se “Punonjësi i policisë përzgjedh nivelin e nevojshëm të forcës ndërmjet mundësive të përshkallëzuara, që, ndër të tjera, përfshijnë bindje me fjalë, shtrëngim fizik, mjete goditëse, mjete me lëndë paralizuese, mjete me goditje elektrike, qen policie dhe armë zjarri,”– shkruhet ndër të tjera në deklaratën zyrtare të Komiteti Shqiptar të Helsinkit.

Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur më datë 31 korrik në ambjentet QSUT-së. Në një deklaratë zyrtare policia është shprehur se Ramazan Rraja është proceduar në gjendje të lirë, ndërkohë që është pezulluar nga detyra edhe një efektive policie që ishte e pranishme gjatë dhunimit por nuk ka ndërhyrë për të ndaluar dhunën që ushtrohej kundrejt vajzës.

Lajmi u publikua fillimisht nga JOQ, ndërsa gazetarja Anila Hoxha zbuloi se personi që dhunonte këtë vazjë ishte Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist.