AKTUALITET, 11 Gusht 2018, 10:32

Masakra e Resulajt, zbardhet skema se si 24-vjeçari vrau kushërinjtë në tri banesat e tyre

Masakra e Resulajt,  zbardhet skema se si 24-vjeçari vrau

Masakra në Resulaj konsiderohet si më e përgjakshmja në 28 vitet e demokracisë, e shkaktuar nga një person i vetëm, nga dora e të cilit mbetën të vrarë 8 persona, për më tepër kushërinj të tij nga ana e babait.

Pasi është larguar nga një drekë familjare, ku ka konsumuar birrë, Ridvan Zykaj, ka rrëmbyer një kallashnikov në dorë, ka shkuar në drejtim të banesave të kushërinjve të tij.

FAMILJA E PARË

Si fillim ai ka hyrë në oborrin e banesës së Besim Zykajt, ndërsa e ka gjetur kryefamiljarin aty dhe më pas ka hapur zjarr ndaj tij. Ai ka vrarë si fillim Besimin dhe gruan e tij, Vasilikën. Ai ka shtënë edhe ndaj vajzës së Besimit, Sarës, 17 vjeçe, e cila qëndronte pak më larg prindërve dhe vëllain e saj të mitur, Ledjonin, vetëm 6 vjeç.

FAMILJA E DYTË

Pasi ka shuar familjen e parë, Ridvani ka ecur në drejtim të banesës së Azemit, vëllait të Besimit, që është shumë pranë shtëpisë së tij. Azemi pasi ka dëgjuar të shtënat me armë, ka dalë i tronditur bashkë me gruan në oborr, ndërsa janë vrarë me breshëri plumbash të dy bashkë.

FAMILJA E TRETË

Por autori nuk është ndalur me këtë kasaphanë, ndërsa ka vijuar rrugën për në banesën e tretë, ku jetonin prindërit e dy viktimave, Besimit dhe Azemit. Ridvani mësohet se ka qëlluar në drejtim të Demirit, ndërsa e ka vrarë atë teksa qëndronte në divan në ballkonin e shtëpisë, dhe më pas ka shtënë në drejtim të gruas së tij, duke e lënë dhe atë të vdekur në vend.