AKTUALITET, 23 Shkurt 2018, 19:14

Marrëveshja me Shqipërinë, Kotzias: Politika e jashtme, jo për hatër të marketingut të brendshëm

Marrëveshja me Shqipërinë, Kotzias: Politika e jashtme, jo
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, i ka rekomanduar partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, të tregojë përgjegjshmëri në çështjet e politikës së jashtme.

Ndërhyrja e shefit të diplomacisë greke është bërë në parlament, në përgjigje të kërkesës për interpelancë, që kishte bërë shefi i departamentit të mbrojtjes të partisë opozitare, deputeti Vasilis Kikilias. Tema e interpelancës ka qenë përsëri e lidhur me negociatat që Greqia po zhvillon me Shqipërinë për rishikimin e Paktit Detar.

Deputeti konservator grek e argumenton kërkesën për interpelancë me, siç thotë, “shqetësimin që kanë krijuar te populli grek lajmet e publikuara në mediat e Greqisë dhe Shqipërisë lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes strategjike për kufirin detar”.

Ministri i jashtëm grek ka kërkuar nga partia më e madhe opozitare të tregojë përgjegjshmëri në çështjet e politikës së jashtme.

“Politika e jashtme do të duhet të ushtrohet me kthjelltësi, përgjegjshmëri, seriozitet dhe efikasitet, dhe jo për hatër të marketingut të brendshëm politik”, ka theksuar ministri i jashtëm grek.