AKTUALITET, 10 Maj 2019, 13:48

Manipulimi i Arta Markut me dosjen 339

Manipulimi i Arta Markut me dosjen 339


Arta Marku u shfaq me kërkesën e saj në Top-Channel për të bërë vetëpromovim në kuadër të fushatës për t’u shndërruar nga e përkohshme në prokurore të përgjithshme.

Në emisionin Open ajo tha shumë gënjeshtra, por manipulimi më i madh ishte ai me dosjen 339. Po të dëgjohet versioni i Markut (shiko videon poshtë) ajo pretendon se nuk ka asnjë rol në hetimet që kryen prokuroria lidhur me vjedhjen e votave në Durrës nga Vangjush Dako në bashkëpunim me bandën e Avdylajve.

Sipas znj.Marku, e zgjedhur me votat e vetëm 69 socialistëve ndryshimet ligjore ia pamundësojnë shefit të institucionit të akuzës që të ndikojë mbi këto dosje, që të informohet për detajet e tyre apo të vendosë pistat ku duhet investiguar. “Por edhe sikur unë të lajthis dhe të tentoj ta bëj këtë, prokurorët e çështjes i ndalon ligji të më japin llogari”, garantoi ajo përpara Eni Vasilit.

Dhe deri këtu formalisht ka të drejtë. Ligji thotë fiks kështu, por siç na mëson kinematografia e vjetër socrealiste: “ka ligj dhe ka edhe Maliq”. Dhe në këtë rast znj Marku ka luajtur rolin e të dytit, dhe faktet për këtë nuk mungojnë.

Megjithëse u zgjodh mes tymit dhe flakëve vetëm me votat e njërës palë dhe me premtimin se nuk do të bënte në periudhën e saj tranzitore lëvizje të mëdha, ajo i hyri me sopatë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Ndoshta rastësisht ajo emëroi shoqen e saj të ngushtë Donika Prela. Ndoshta po rastësisht ajo ishte kryeprokurore e Durrësit, e të njëjtit rreth të kontrolluar nga Vangjush Dako. Ndoshta rastësisht, megjithëse iu vodhën dy herë dosjet e institucionit, ajo u vlerësua e denjë për t’u ngritur në detyrë.

Ndoshta rastësisht, ajo u ndihmua të kalojë vettingun me gjithë problemet e mëdha që kishte me pasurinë, të ngjashme me ato që kishin djegur shumë të singjashëm të saj të tjerë.

Por ka edhe më. Arta Marku ia hoqi këtë dosje të nxehtë nga dora Besim Hardajmatajt, i cili e kishte trashëguar nga një tjetër prokuror, Anton Martini me justifikimin se ata nuk kishin bërë asnjë hetim dhe e përdornin për shantazh politik. Po a kanë bërë gjë në mbi një vit dy prokurorët e rinj, njëri prej të cilëve dihet nga të gjithë se sa të forta i ka lidhjet me PS-në dhe se pse iu la në dorë kjo dosje? Për këtë znj. Marku nuk kishte përgjigje, se për hir të së vërtetës ajo as nuk u pyet për këto.

Ajo thjesht u mjaftua të bënte alibinë se personalisht nuk ka ndërhyrë në fashikujt e veçantë ndërkohë që me veprimet e saj është përpjekur vetëm ta varrosë atë hetim.

Aq brutale dhe aq flagrante qe ndërhyrja mbi këtë dosje që po kërkohej të zhdukej, sa ata prokurorë që i kishin në duar përgjimet u detyruan t’i nxjerrin ato në publik, duke thyer kodin e tyre moral dhe duke riskuar ligjërisht, që kjo aferë së paku të njihej nga publiku./Lapsi.al

[playlist type="video" ids="250635"]