AKTUALITET, 21 Dhjetor 2017, 08:21

"Lufta" ndaj euros nis në gjysmën e parë të vitit 2018

"Lufta" ndaj euros nis në gjysmën e parë të vitit

Masat për deeuroizimin e ekonomisë do të nisin të aplikohen më 2018, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko në një konferencë për shtyp.

“Një angazhim tjetër strategjik, lidhet me rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, e thënë ndryshe me deeuroizimin e ekonomisë. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2017, në konsultim dhe me industrinë bankare, kemi ideuar disa masa specifike, të cilat do të hyjnë në fuqi në gjysmën e parë të vitit 2018”, tha Guvernatori.

Për ta bërë deeuroizimin gjithëpërfshirës, Banka e Shqipërisë nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, për të nxitur marrjen e masave të ngjashme edhe në pjesën tjetër të sistemit financiar dhe në ekonominë reale. Kjo iniciativë pritet të rezultojë shumë shpejt në masa konkrete shtesë.

Guvernatori tha se gjatë vitit që po mbyllet është punuar në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm të instrumenteve dhe metodologjive të parashikimit, si dhe në drejtim të përsosjes së procesit të zbatimit të politikës monetare. Kjo e fundit është realizuar nëpërmjet standardizimit të praktikave për administrimin e likuiditetit të sistemit bankar, përmirësimeve teknologjike në zhvillimin e ankandeve REPO, si dhe publikimeve javore të parashikimeve për sasinë e likuiditetit në sistem.

Një zhvillim i rëndësishëm përkon me zgjerimin dhe thellimin e tregut të letrave me vlerë të qeverisë, nëpërmjet dhënies së aksesit për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të të gjitha institucioneve financiare jorezidente. Një arritje tjetër në veprimtarinë tonë ka të bëjë me administrimin e rezervës valutore. Pavarësisht ambientit të vështirë me të cilin përballen investitorët në Eurozonë, ambient ky i karakterizuar nga norma të ulëta dhe shpesh negative interesi, ne kemi arritur të ruajmë një kthim pozitiv për rezervën valutore, duke respektuar njëkohësisht të gjitha limitet, rregullat dhe procedurat për administrimin e rrezikut të investimit.

Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Forcimi i mbikëqyrjes bankare dhe garantimi i stabilitetit financiar të sistemit mbeten objektiva themelore të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2017, hyri në fuqi ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, i cili përcakton Bankën e Shqipërisë si Autoritetin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në vend. Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Banka e Shqipërisë krijoi “Fondin për ndërhyrjen e jashtëzakonshme”, i cili do të plotësohet në vazhdimësi përmes kontributeve të rregullta vjetore të bankave. Ky Fond do të shërbejë për realizimin e ndërhyrjeve të jashtëzakonshme, në të gjitha rastet ku nevoja do të sjellë si domosdoshmëri ristrukturimin e hershëm të bankave në vështirësi dhe mbulimin e nevojave për financim në rast krize, prej vetë bankave.

Një zhvillim i spikatur i vitit 2017 është rënia e vazhdueshme e treguesit të kredive me probleme. Në fund të muajit nëntor,  kreditë me probleme përbënin vetëm 14.3% të totalit, krahasuar me 18.23% në fund të vitit 2016. Ky përmirësim reflekton masat e marra në kuadër të planit kombëtar për uljen e kredive me probleme, por jo vetëm. Gjatë gjithë vitit kemi intensifikuar komunikimin me bankat dhe paralelisht me të, falë dhe asistencës së partnerëve tanë ndërkombëtarë, kemi adoptuar dhe vënë në zbatim disa nga praktikat dhe eksperiencat më të mira ndërkombëtare.

Në muajin gusht, Këshilli Mbikëqyrës miratoi Strategjinë e Politikës Makroprudenciale, një dokument i rëndësishëm për garantimin e stabilitetit financiar të vendit. Në këtë dokument janë të pasqyruara me hollësi të gjithë objektivat, instrumentet, treguesit, përfshirë dhe strukturat përgjegjëse, brenda dhe jashtë Bankës së Shqipërisë, të cilat kujdesen dhe garantojnë stabilitetin financiar të vendit. Kjo politikë është një udhërrëfyes për hapat që duhet të ndërmarrin autoritetet, me qëllim administrimin e rreziqeve që i kanosen stabilitetit financiar të vendit.

Një angazhim tjetër strategjik, lidhet me rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, e thënë ndryshe me deeuroizimin e ekonomisë. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2017, në konsultim dhe me industrinë bankare, kemi ideuar disa masa specifike, të cilat do të hyjnë në fuqi në gjysmën e parë të vitit 2018. Për ta bërë deeuroizimin gjithëpërfshirës, Banka e Shqipërisë nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, për të nxitur marrjen e masave të ngjashme edhe në pjesën tjetër të sistemit financiar dhe në ekonominë reale. Kjo iniciativë pritet të rezultojë shumë shpejt në masa konkrete shtesë.

Aktivitetit bankar, rregullimi dhe licencimi i tij kanë vazhduar të jenë ndër prioritetet e rëndësishme të veprimtarisë së institucionit. Banka e Shqipërisë kreu rreth 14 inspektime gjatë vitit 2017. Gjithashtu, gjatë këtij viti u miratua transferimi i pjesëmarrjes 100% të Veneto Banka sh.a. tek Banka Intesa Sanpaolo S.p.A., Itali si dhe u licencuan 3 subjekte financiare jobanka për ushtrimin e veprimtarisë së shërbimeve të pagesave e të transferimit të parave, të veprimtarisë së qirasë financiare dhe mikrokredisë./Monitor