AKTUALITET, 17 Janar 2019, 15:03

Lufta e ftohtë president-kryeministër, Rama dhe Ruçi ‘’bojkotojnë” Metën

Në një ceremoni të zhvilluar pak më parë në Presidencë janë betuar ministrat dhe zv/Kryeministri i ri i vendit.

“Betohem në nderin tim se do të zbatoj me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet si dhe do të kryej me përpikmëri detyrën që më është ngarkuar”, kjo është fraza të cilës i janë përgjigjur të gjithë ministrat: Betohem!

Ndryshe nga sa jemi mësuar që të shohim në raste të tjera në Presidencë nuk është paraqitur, Kryeministri Edi Rama, por ai është përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjell Agaçi.

Po ashtu ra në sy dhe mungesa e Kryetarit të Parlamentit, Gramoz Ruçi, i cili është përfaqësues në ketë ceremoni nga nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, e cila është shfaqur e buzëqeshur në krah të Metës.

Erion Braçe u betua në si zv/Kryeministri i ri i vendit, Anila Denaj u betua si ministre e Ekonomisë, Belinda Balluku u betua si ministre e Infrastrukturës; Elva Margariti në postin e Ministres së Kulturës; Besa Shahini në postin e ministres së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë; Eduard Shalsi në postin e Ministrit të Sipërmarrjes, Bledi Çuçi në postin e Ministrit të Bujqësisë dhe Elisa Spiropali në postin e Ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin.