AKTUALITET, 25 Prill 2019, 11:48

Lirohet Hektor Xheçuka, i dyshuar për vrasjen e Emiljanos në Tiranë

Hektor Xheçuka u arrestua në 5 tetor të 2018-së, si vrasësi i Emiljano Boçit. Policia e Tiranës tha në atë kohë se kishte prova të pakundërshtueshme për 31-vjeçarin Hektor Xheçuka. Madje Policia shkoi edhe më tej, e cila u shpreh se Hektor Xheçuka dyshohet si një vrasës me pagesë i rrezikshëm, që mund të kishte lidhje edhe me disa vrasje të tjera të ndodhura në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Por duket se të gjitha deklarimet e Policisë kanë rënë poshtë. Gazeta Mapo mëson se Hektor Xheçuka është liruar pas 5 muajsh nga burgu, pasi nuk janë gjetur prova bindëse për ta akuzuar për vrasjen e Emiljano Boçit.

Xheçuka u dyshua si vrasës me pagesë për të kryer ekzekutimin e Emiljano Boçit, për llogari të një grupi rival në fushën e trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike me operim në Hollandë, aty ku dyshohet të ketë patur aktivitet dhe grupi i Boçit. Të gjitha akuzat e Policisë, tashmë kanë rënë. Hetimet për vrasjen e Emiljano Boçit rikthehen në pikë zero.

Si u vra Emiljano Boçi në 14 janar të 2018-së

Emiljano Boçi u vra më 14 janar 2018, në zonën e ish-parkut të Autobusave. Ai u qëllua për vdekje në automjetin e tij menjëherë pasi doli nga një restorant në kryeqytet i shoqëruar nga e dashura e tij dhe miku i tij Melvin Disha, 27-vjeç i cili mbeti i plagosur. Autori e qëlloi nga pjesa e pasme e makinës “Range Rover” në drejtim të vendit të shoferit.

E dashura e tij iu shpëtoi plumbave për mrekulli, dhe më pas njoftoi policia. Në atë kohë, burime nga policia sqaruan se pistat e hetimit ishin ato të prishjes së pazareve të drogës, pasi 32-vjeçari lëvizte shpesh drejt Holandës dhe Gjermanisë.

Njoftimi i Policisë në 5 nëntor 2018-së:

Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë identifikojnë autorin e dyshuar të ngjarjes se ndodhur më 14 Janar 2018 ku mbeti i vrarë Emiljano Boçi.

Identifikimi i autorit të dyshuar pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit nga Seksioni për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kapet dhe vihet në pranga Tori (Hektor) Xhecuka, 30 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe të “ Prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake”.

30-vjeçari është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në datën 14 Janar 2018 në rrugën “Shefqet Musaraj”, ku mbeti i vrarë shtetasi Emiljano Boçi, si dhe autor i dyshuar i “Vrasjes së mbetur në Tentativë” të shtetasit M.D. Për arsye hetimi në funksion të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje, nuk bëhen me dije detaje të tjera.

 Emiljano Boçi

Hektor Xheçuka