TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nata e ndërrimit të viteve është kulmi i festave për shqiptarët. Ajo shoqërohet me përgatitje intensive, nga pastrimi i shtëpisë dhe gatimet tradicionale, deri te fishekzjarrët dhe pritja e mesnatës mes familjarëve.
Përveç festës, shumë njerëz besojnë edhe në bestytni të trashëguara ndër breza: disa veshin rroba të kuqe, të tjerë përgatisin ushqime të veçanta apo kryejnë rituale simbolike, me shpresën që viti i ri të jetë i mbarë, i begatë dhe i suksesshëm.
Në kultura të ndryshme të botës, Viti i Ri pritet me zakone të veçanta, që lidhen kryesisht me paranë, fatin dhe mirëqenien. Ja disa prej tyre, për ata që besojnë në këto tradita:
1. Mbani para poshtë tapetit
Në Rumani besohet se nëse vendosni para poshtë tapetit në momentin kur ora shënon 12, viti i ri do t’ju sjellë më shumë të ardhura financiare. Për më shumë fat, disa veshin të brendshme të kuqe ose thyejnë gota në natën e ndërrimit të viteve.
2. Ndizni furrën dhe muzikën
Në Trinidad dhe Tobago, njerëzit besojnë se begatia vjen përmes punës dhe harmonisë familjare. Prandaj, shtëpia duhet të jetë e pastër, familja e mbledhur dhe gatimet në furrë. Sipas traditës, gatimi i fasuleve të zeza në ditën e Vitit të Ri sjell fat dhe prosperitet.
3. Hani ushqime të shëndetshme
Në Afganistan rekomandohet që nata e Vitit të Ri të shoqërohet me fruta të thata si bajame, lajthi, arra, kajsi, qershi dhe rrush të thatë. Besohet se këto ushqime sjellin fat të mirë gjatë gjithë vitit.
4. Lamtumirë fatit të keq
Në Brazil, njerëzit vishen me rroba të bardha për të simbolizuar paqen dhe qetësinë shpirtërore. Shumë prej tyre e presin Vitin e Ri pranë detit dhe, kur dallgët afrohen, hidhen lart për të larguar energjitë negative.
5. Mbusheni shtëpinë me para dhe fruta të rrumbullakëta
Në Filipine, veshjet me pika dhe kërcimet në mesnatë janë pjesë e ritualit për fat të mirë. Po ashtu, monedhat hidhen nëpër dhomat e shtëpisë kur ora shënon 12, dritat mbahen ndezur gjithë natën dhe tavolina mbushet me fruta të rrumbullakëta, simbol i bollëkut.
6. Hani 12 kokrra rrushi dhe bëni gati valixhen
Në shumë vende të Amerikës Latine, si Venezuela dhe Bolivia, tradita kërkon që në mesnatë të hahen saktësisht 12 kokrra rrushi, një për çdo muaj të vitit. Ndërsa për ata që ëndërrojnë udhëtime, këshillohet të bëjnë disa xhiro rreth shtëpisë me valixhe në dorë, për të “ftuar” aventurat e reja në vitin që vjen.