LIFESTYLE, 26 Dhjetor 2025, 21:09

Kur temperaturat bien, presioni rritet, si të përballoni hipertension në dimër

Kur temperaturat bien, presioni rritet, si të përballoni hipertension

Me ardhjen e dimrit, shumë persona vërejnë rritje të presionit të gjakut, veçanërisht ata që tashmë vuajnë nga hipertensioni. Moti i ftohtë nuk sjell vetëm ndjesi parehatie, por shkakton ndryshime fiziologjike që e ngarkojnë më shumë zemrën dhe enët e gjakut, shpjegon kardiologu dr. Tejal Tushar.

Si ndikon i ftohti te presioni i gjakut
Në temperatura të ulëta, enët e gjakut ngushtohen (proces i quajtur vazokonstriksion), gjë që e bën zemrën të punojë më shumë.
Dimri rrit prodhimin e hormoneve të stresit, si adrenalina, që mund të rrisë presionin.
Lëvizja më e pakët, ushqimi më kalorik dhe i kripur, si dhe stresi gjatë festave përkeqësojnë gjendjen.

Efekti te personat me hipertension
Personat me presion të lartë janë më të ndjeshëm ndaj rënies së temperaturës. Kur lëkura ndjen të ftohtin, trupi ngushton edhe më shumë enët e gjakut, duke shtuar ngarkesën për zemrën. Moti i ftohtë aktivizon gjithashtu sistemin nervor simpatik, që mund të përshpejtojë rrahjet e zemrës dhe të rrisë presionin, veçanërisht te të moshuarit dhe ata me hipertension afatgjatë.

Muajt e ftohtë lidhen me një rrezik më të lartë për infarkt, goditje në tru dhe përkeqësim të dështimit kardiak. Presioni i lartë, gjaku më i trashë nga dehidratimi i lehtë dhe ngarkesa shtesë e zemrës rrisin mundësinë e komplikacioneve.

Si të ruani presionin e gjakut nën kontroll
Vishni rroba të ngrohta, duke mbrojtur veçanërisht kokën, veshët dhe duart.
Mbani aktivitet fizik të rregullt, qoftë edhe shëtitje të shkurtra ose ushtrime brenda.
Kufizoni ushqimin e kripur dhe piqni rregullisht ujë.
Matni presionin e gjakut më shpesh, sidomos në mëngjes.
Shmangni daljet e menjëhershme në të ftohtë pas zgjimit ose larjes.
Mos ndërpreni terapinë e mjekut gjatë festave.

Kujdes i veçantë për të moshuarit
Personat e moshuar duhet të matin presionin më shpesh dhe të bëjnë kontrolle shtesë si EKG, veçanërisht nëse shfaqen dhimbje në kraharor ose rrahje të shpejta të zemrës. Kontrolli i funksionit të veshkave dhe i niveleve të yndyrave ndihmon në vlerësimin e rrezikut kardiovaskular. Ambientet duhet të jenë të ngrohta por të ajrosura, dhe duhet të merret mjaftueshëm lëngje edhe kur nuk ndihet etje. Vëmendje duhet t’i kushtohet marramendjes dhe paqëndrueshmërisë, pasi kombinimi i të ftohtit dhe terapisë mund t’i përkeqësojë këto simptoma.