TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në të gjithë botën, ardhja e Vitit të Ri festohet me tradita të veçanta që synojnë të largojnë vështirësitë e së kaluarës dhe të tërheqin fat të mirë për të ardhmen. Këto zakone pasqyrojnë nevojën e përbashkët njerëzore për një fillim plot shpresë, të lirë nga barra e vitit të kaluar. Ja shtatë zakone të ndryshme të Vitit të Ri nga e gjithë bota.
Ndërsa shumë vende mund ta lidhin thyerjen e enëve me argëtim, në Danimarkë nuk simbolizon festa apo ahengje por fat të mirë. Në natën e Vitit të Ri, danezët thyejnë enë të vjetra ose të papërdorura në pragun e shtëpisë së tyre ose të miqve të tyre për fat të mirë.
Në fakt, thuhet se sa më shumë enë të thyera gjen dikush jashtë derës së tij ditën e Vitit të Ri, aq më i madh është fati i tij! Ata danezë që nuk i thyejnë enët ngjiten në karrige në mesnatë dhe hidhen prej tyre, pasi besojnë se hedhja në janar, muajin e parë të vitit të ri, do të largojë fatin e keq dhe do të sjellë fat të mirë.
Në jug të Italisë, ata e largojnë të keqen e vitit që po largohet duke hedhur nga dritaret tenxhere, rroba ose objekte të tjera të vjetra, një praktikë që duket se preferohet edhe në Argjentinë, megjithëse në versionin e saj më të lehtë, pasi dokumentet dhe letrat e vjetra që nuk kanë më asnjë vlerë për pronarin e tyre janë ato që hidhen nga dritaret e hapura, në një gjest simbolik që tregon se dikush po e lë pas të kaluarën.
Nëse keni lëkurë të errët dhe keni në tryezën tuaj si dhurata monedha (ose një copë qymyr të zi sipas një versioni tjetër), bukë (zakonisht me rrush të thatë) dhe …sigurisht uiski, atëherë jeni padyshim të mirëpritur të bëni një vizitë në një familje skoceze për natën e Vitit të Ri.
Tradita thotë se skocezët i japin shumë rëndësi se kush kalon i pari pragun e derës së tyre pas ndërrimit të vitit dhe besojnë se një person me karakteristikat e mësipërme është një ogur fati të mirë. Është e mundur që kjo preferencë të jetë e lidhur me epokën e Vikingëve, kur e vetmja dhuratë që sillnin të huajt bjond ishte telashet.
Nëse je një grua beqare, që jeton në Irlandë dhe dëshiron të gjesh dashurinë e jetës tënde, e tëra çfarë duhet të bësh është të flesh me disa degëza veshtulle nën jastëk në natën e Vitit të Ri.
Në Spanjë, fruti më i kërkuar në natën e Vitit të Ri – natën e vjetër, siç e quajnë – është rrushi, pasi zakoni kërkon që spanjollët të hanë dymbëdhjetë kokrra që korrespondojnë me secilën nga goditjet e orës (zakonisht në sheshin qendror të qyteteve), kur ajo bie mesnata.
Në fakt, ata që nuk kanë kohë të hanë sasinë e duhur rrezikojnë të përballen me fat të keq në vitin e ri.
Thuhet se ky është një zakon, rrënjët e të cilit mund të gjurmohen që në fillim të shekullit të kaluar, kur në vitin 1909 fermerët në Alicante po gjenin mënyra për të shitur të korrat e rrushit, të cilat ishin veçanërisht të pasura atë vit.
Nga ana tjetër, në Republikën Çeke preferojnë frutat e stinës dhe për këtë arsye e kërkojnë fatin e tyre në një mollë! E presin përgjysmë dhe nëse forma brenda i ngjan një kryqi është shenjë telasheje në vitin e ri, nëse i ngjan një ylli mund të jenë optimistë se do të gjejnë gëzim.
Në vendet e Amerikës së Jugut si Bolivia dhe Brazili, fati i një personi në vitin e ri duket se përcaktohet nga ngjyra e të brendshmeve që zgjedh të veshë për të mirëpritur vitin e ri. Ose të paktën kështu thotë zakoni… Ata që kërkojnë dashurinë thuhet se zgjedhin të kuqen, ndërsa ata që kërkojnë pasuri “votojnë” të verdhën. Ata që vlerësojnë paqen mbi paratë dhe dashurinë duhet të veshin të bardha.