TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Janë dashur dy vjet përgjime e hetime për zbulimin e aktivitetit kriminal ku akuzohen si të përfshirë edhe dy ish-deputetët socialistë Arben Çuko dhe Arben Ndoka.
Gazetarja Klodiana Lala duke iu referuar burimeve nga prokuroria raportoi për “BalkanWeb” se Çuko dhe Ndoka u zbuluan nga grupi kriminal Avdulaj. Hetimi mësohet se ka nisur që në dhjetor të vitit 2016 dhe prej dy vitesh ky grup ishte në përgjim. E pikërisht këto përgjime kanë çuar dhe tek dy ish-deputetët që u arrestuan ditën e djeshme në Tiranë.
MIK ME AVDULAJ
Nga përgjimi ka rezultuar se Arben Ndoka kishte mik një nga anëtarët e grupit të Avdulajve. Po kështu Çuko është dëgjuar teksa i kërkohej transferimi i të burgosurve.
Gazetarja Lala raportoi se prokuroria ka zhvilluar hetim në tre drejtime, një për grupin, një për Arben Çukon dhe një për Arben Ndokën.
Urdhër arresti për ish-deputetin dhe ish-drejtorin e Burgjeve Arben Çuko u ekzekutua dje nga policia dhe ai u dërgua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Rreth dy muaj më parë Çuko u shkarkua nga posti dhe vendin e tij e zuri Stefan Cipa. Motivacioni i këtij ndryshimi ishte rritja e sigurisë në burgje.
Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga Ministria e Drejtësisë në atë kohë thuhej se “ky ndryshim bëhet për të përmirësuar punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë së brendshme dhe kontrollit si dhe rritjes së efikasitetit të luftës kundër korrupsionit në sistemin e burgjeve”.