AKTUALITET, 14 Nëntor 2017, 21:19

“Le Iene”, së shpejti investigim për drogën në Shqipëri

“Le Iene”, së shpejti investigim për drogën në

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Skype, gazetari i emisionit “Le Iene”, Taulant Kopliku, ka dhënë informacione të detajuara, për emisionin "Kolaudim" në “In Tv”, mbi reportazhin e bërë në qytetin e Bulqizës.

I transmetuar pak javë më parë, ai flet për kushtet e vështira në të cilët jetojnë banorët e këtij vendi, ku në fokus janë fëmijët e moshës 10-13 vjeç, të cilët lënë shkollën për të mbledhur krom që të sigurojnë të ardhurat minimale.

Gjithashtu gazetari i “Le Iene”  ka hedhur dritë mbi deklaratën e kryeministrit Rama, duke thënë se pamjet e shfaqura nuk janë nga arkiva, por janë shumë aktuale dhe të kohës, duke e faktuar atë gjatë intervistës në Kolaudim.

Ajo që ka rënë më shumë në sy gjatë lidhjes së drejtpërdrejtë është zbardhja e reportazhit më të ri që pritet të bëhet nga gazetarët e Le Iene. Këtë herë, pjesë e investigimit janë lidhjet e klaneve shqiptare të drogës dhe atyre të Katania.

Kopliku ka zbuluar për “In Tv”, se ky reportazh ka nisur të planifikohet  pas daljes së skandaleve në lidhje me drogën në Shqipëri. Ai u shpreh se kanë mbledhur shumë materiale dhe informacione në lidhje me situatën e kanabisit që është krijuar mes dy vendeve.

“Kemi dokumente! Bëhet fjalë për trafiqe të mëdha droge mes dy shteteve, Shqipëri-Itali”, ka thënë gazetari i emisionit Le Iene Taulant Kopliku, për Kolaudim.