TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një muaj pas ngjarjes së rëndë të Elbasanit, Haki Çako, në cilësinë e Drejtorit të Policisë së Shtetit i jep një tjetër dorë krimit në Elbasan. Hipotezat se përse zoti Çako, doli sot në konferencë për shtyp për të thënë se e shkriu fare Drejtorinë e Policisë Elbasan janë të shumta. Por le të rrimë tek ato që Drejtori paraqiti gjatë konferencës së tij për shtyp. “Ngjarja e Elbasanit nxori në pah paaftësinë e policisë së këtij qyteti, për të reaguar ndaj elementëve kriminalë, ndaj vendosëm që Drejtoria e Policisë së këtij qyteti, t’i nënshtrohet një ristrukturimi të thellë” tha Çako. Sipas kësaj logjike lind pyetja se ku ishte Drejtori i Përgjithshëm, 32 ditë më parë? A nuk e dinte Haki Çako gjendjen e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit?! Nëse bëjmë një përmbledhje të ngjarjes kujtojmë se një nga të akuzuarit për rezistencën ndaj Policisë Petrit Çela në një prononcim për News 24 tha se Nëndrejtori i Policisë po kryente një operacion policor në mënyrë të paligjshme, sipas tij kjo ishte arsyeja që policia nuk mësyu brenda tregut agroushqimor ku u fut Audi i blinduar i cili goditi policinë.
Gazetari Artan Hoxha në studion e “Të paekspozuarve” tha se “dhëndri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari, ka shkarkuar shumë drejtues policie që i kanë zënë rrugën në Elbasan”. Këto deklarata tregojnë se shkarkimi i një drejtuesi policie i cili guxoi të përballej me grupin Çelaj – Sanxhaktari në Elbasan është një dhuratë që Haki Çako i bën dhëndrit të kryebashkiakut Qazim Sejdini. A mund të jetë ky veprim një shembull për policët e tjerë, se nëse prekin interesat e këtij grupi do të përfundojnë të gjithë në rrugë?! Edhe sikur qëllimi të mos jetë ky mendimi i parë që të krijohet ky është. Në këto kushte do jetë e vështirë tu kërkosh uniformave blu, të bëjnë detyrën e tyre.
Një tjetër hipotezë është largimi i vëmendjes mediatike nga arrestimet italiane të klanit Habilaj, në Vlorë dhe përmendja në përgjimet e tyre dhe e emrit të ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Ndërkaq një ditë më parë media raportoi për arrestimin e disa tonelatave drogë në Vlorë dhe aludoi se policia e shtetit nuk kishte informacion për këtë superoperacion.
Hipotezat janë të shumta në çdo rast ato tregojnë ose paaftësinë ose inkriminimin e zotit Çako në luftën e grupeve kriminale mes tyre. Dërgimi i Altin Qatos në Elbasan është një mundësi e mirë për ta spostuar Nëndrejtorin e Policisë së Shtetit nga kupola qëndrore. Prej ditësh në ambientet gazetareske flitet për shkarkimin e zotit Qato, i njohur si mbështetës dhe i mbështetur nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Konferenca për shtyp e drejtuesit madhor të policisë shqiptare Haki Çako është një sirenë e ndezur alarmi për situatën ku ndodhet Policia e Shtetit sot.
TPZ.AL