AKTUALITET, 21 Shtator 2018, 13:00

Kronologjia/ Si u rrëzuan prokurorët përballë Shullazit

Kronologjia/ Si u rrëzuan prokurorët përballë Shullazit

Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela akuzohen për gjobëvënie, shkatërrim të pronës me eksploziv, armëmbajtje pa leje dhe krijimin e një grupi të strukturuar kriminal. Kjo është një nga dosjet më të bujshme në prokurorinë e Krimeve të Rënda, jo vetëm për shkak të veprave të rënda penale, por edhe për shkak të lidhjeve të përfolura politike të Emiljano Shullazit.

Kryeministri Rama dhe ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri janë akuzuar vazhdimisht se kanë paur lidhje direkt me Shullazin dhe një marrëveshje me të për t’i ndihmuar ditën e zgjedhjeve. Po ashtu tre vite më parë, Shullazi u denoncua në prokurori për kërcënime direkte ndaj Lulzim Bashës dhe prokuroria nisi një hetim për këtë rast.

Rrëfimi ish shefit të policisë: Shullazin e gjeta me Saimir Tahirin ditën e zgjedhjeve

Çfarë tha në prokurori Emiljano Shullazi për kërcënimin e Lulzim Bashës

Por pikërisht në hapin e fundit procedurial, kur do lexohej pretenca, në prokurori u krijua një ngërç.

Me dosjen Shullazi kishte punuar prokurorja Elisabeta Imeraj, prokurorja që u bë e njohur në media për shkak se vitin e kaluar punoi me dosjen e Saimir Tahirit. Imeraj ra në sy në debatet me deputetët socialistë kur kërkoi arrestimin e ish Ministrit të Brendshëm. Por Elisabeta Imeraj, që kishte punuar për gati dy vjet me këtë dosje u komandua nga Arta Marku ne Prokurorinë e Tiranës. Një post me më pak andralla dhe më komod, të cilin prokurorja e pranoi duke hequr dorë nga dosjet e Krimeve të Rënda.

Shullazi kërcënoi Elizabeta Imerajn me “inçizimet”

Përballja me Tahirin dhe deputetët e PS, Elizabeta Imeraj: Nuk janë pak 3.5 ton drogë

Me dosjen Shullazi ishte marrë edhe prokurori Ened Nakuçi, që për momentin nuk dihet se ku ndodhet. Ai ka paraqitur një raport 6 mujor, ku thotë se është sëmurë. Por ambasada amerikane ka një tjetër version. Sipas Donald Lusë, ky prokuror nuk u paraqit në gjyq, sepse u kërcënua. Pavarësisht se janë deklarata të forta, ato të ambasadorit amerikan askush nuk i mori seriozisht dhe nuk kanë pasur asnjë impakt në punën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Çështja mbeti pa prokuror, deri kur u caktua Besim Hajdarmataj. I vetëm përballë bandës së Shullazit, Hajdarmataj kërkoi kohë të njihet me dosjen.

Por më 19 shtator, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela thirri prokurorët e Krimeve të Rënda për një short. Ajo i informoi se kishte vendosur të bëhej vetë pjesë e grupit hetimor në çështjen e Shullazit, së bashku me Besim Hajdarmataj dhe Gentian Osmanin, dhe se nevojitej një prokuror i katërt në dosjen Shullazi, që do të zgjidhej me short.

Por prokurorët e kundërshtuan procedurën e ndjekur dhe braktisën njëri pas tjetrit procesin.

Para se të largoheshin, ata ia bënë të qartë Donika Prelës se kjo nuk ishte një çështje frike,sepse disa kohë më parë, një prej prokuroreve, kishte kërkuar 18 vjet burg për Shullazin por, ngulmonin prokurorët, procedura që i propozonte Donika Prela nuk ishte e ligjshme.

Por cila është arsyeja e vërtetë e refuzimit të procesit Shullazi? Çështja qëndron tek fakti se prokurorët nuk besojnë se largimi i Elizabeta Imerajt dhe Ened Nakuçit nga dosja Shullazi të jetë një rastësi. Pas emërimit të Arta Markut me 69 votat e Partisë Socialiste, në institucion, nisën të fryjnë erëra të tjera. Në shumë dosje të nxehta u vu re një ndryshim kursi, pasi prokuroria kishte drejtues të ri.

Në shumë raste, për dosjet delikate ose u lëvizën prokurorët, ose qasja ndaj të akuzuarve ndryshoi me kompromis.

Analiza: Arta Marku, njolla e parë në flamurin e reformës

Arta Marku njësoj si Llalla, komandon 25 njerëzit e saj në pikat kyçe të Prokurorisë

Pikërisht për këto arsye, asnjë nga prokurorët nuk kishte pse të bëhej pjesë e një arnimi, e një grupi hetimor fasadë, për punën e bërë në dy vitet e shkuara nga prokurorët që mungojnë, Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi.

Përplasja u përshkallëzua kur Prokuroria e Përgjithshme nis procedim disiplinor për 10 nga 17 prokurorët e pranishëm në mbledhje. Arta Marku urdhëroi transferimin e tre prej prokurorëve kundërshtues-Besim Hajdarmataj në Pogradec, Olsian Çela në Berat dhe Sonila Muhametaj në prokurorinë e Pukës.

Gazetarja e BIRN, Lindita Çela kontaktoi me disa prej prokurorëve, të cilën e quajtën antiligjore procedurën që po ndjek Arta Marku.

Nga prononcimet e prokurorëve kuptohet se kjo nuk është një çështje frike. Duket se thelbi i përplasjes është pikërisht plani i drejtuesve të prokurorisë për të larguar prokurorëve që janë marrë me dosjen, pra transferimi i prokurorëve Elizabeta Imeraj dhe “sëmundja” e Ened Nakuçit.

Prokurori Besim Hajdarmataj, i tha BIRN se ai ka pranuar prej fillimit të shtatorit përfaqësimin e akuzës në çështjen e Shullazit, ndonëse vuri në diskutim bazën ligjore të autorizimit që e ngarkoi me këtë detyrë.

“Unë kam pranuar të përfaqësoj akuzën edhe me një autorizim që nuk kishte bazë ligjore. I jam drejtuar titullarit me shkrim, ku jam munduar të shpjegoj se cila është mënyra e mirë që prokuroria duhet të përfaqësohet dhe rrugët proceduriale që duhen ndjekur,” tha Hajdarmataj.

“Nuk është e vërtetë që unë kam braktisur mbledhjen dhe ne kemi pasur korrespondencë për diskutimin e kësaj çështjeje,” shtoi Hajdarmataj.

Edhe Olsian Çela i tha BIRN se nuk refuzoi procedurën, por bindjen ndaj një procedure që ai e quan antiligjore.

“Ne refuzuam procedurën antiligjore të procesit dhe jo hedhjen e shortit. Dosja ka prokuror dhe si në çdo proces tjetër mund të vijohet në të njëjtën praktikë,” tha Çela.

Prokurorja Sonila Muhametaj hodhi poshtë zërat për frikë në përfaqësimin e dosjes së Shullazit, duke kontestuar fort procedurën e ndjekur.

“Unë interesat e shtetit ndaj këtij personi i kam përfaqësuar edhe më herët, në Krujë, dhe nuk do të hezitoja sërish të bëja detyrën time. Por ama vendimi duhet të jetë ligjor. Prokurori që ka hetuar çështjen duhet ta përfaqësojë atë dhe kjo është një praktikë tashmë e ndjekur,” tha Muhametaj.

Besim Hajdarmataj e cilësoi vendim të turpshëm ndëshkimin e prokurorëve dhe paralajmëroi kallëzim si për procedimin disiplinor ashtu edhe për vendimin e transferimit të tij në Pogradec.

“Urdhri i komandimit tim në Pogradec është i turpshëm, sepse në lidhje me këtë çështje unë kam mbajtur qëndrimin tim. Për hetimin disiplinor jo vetëm që nuk jam në dijeni, por do të bëj kallëzim penal,” paralajmëroi ai.

Ndërkohë, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela i tha BIRN se procesi i hedhjes së shortit ishte legjitim dhe se do të organizojë një short tjetër, si zgjidhja e vetme ligjore sipas saj për ngërçin e krijuar.

“Çështja do të zgjidhet në rrugë ligjore dhe garantoj se Prokuroria e Krimeve të Rënda do të përfaqësohet në mënyrë dinjitoze. Do të zhvillohet shorti dhe se ju do të jeni sërish në dijeni,” ka thënë Prela.

Ndëshkimi i prokurorëve me masë disiplinore para se të hyjnë në procesin e vetingut ka rritur presionin ndaj tyre. Masa ndëshkuese që ka marrë Arta Markunuk ka rënë vetëm mbi prokurorin e dosjes Shullazi, por edhe mbi prokurorë që kanë pasur dosje të rëndësishme, si ajo e Agron Xhafajt, ajo e 613 kilogramëve kokainë etj. Lapsi.al