AKTUALITET, 21 Shtator 2018, 11:06

Çështja ‘Shullazi’ shkakton sherr midis Arta Markut dhe Sokol Stojanit

Çështja ‘Shullazi’ shkakton sherr midis Arta Markut dhe

Çështja ‘Shullazi’ ka shkaktuar furtunë dhe debate në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kështu pasi kryeprokurorja Arta Marku urdhëroi dje hetimin disiplinor për 10 prokurorë ‘rebelë’ që nuk pranuan që të ishin pjesë e shortit për çështjen ‘Shullaz’, tek Krimet e Rënda ka pasur një tjetër ‘kryengritje’.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se Marku kishte urdhëruar kreun e Drejtorisë së inspektimit në Prokurori Sokol Stojani që të hetonte 10 kolegët e tij, por ky i fundit nuk pra pranuar. Pavarësisht se Stojani është caktuar në këtë detyrë nga vet Marku, ai ka pasur një sërë pakënaqësi madje edhe debate me kryeprokuroren.

“Dorëhiqem nëse më detyroni, pasi është në kundërshtim me ligjin”, mësohet t’i ketë thënë Stojani kryeprokurores. Ndaj kjo e fundit e ka lëvizur nga detyra Sokol Stojanin, ndërsa ende nuk dihet pozicioni i tij i ri. Kujtojmë Arta Marku nisi dje një hetim disiplinor për 10 prokurorë, pasi ata nuk pranuan që të ishin pjesë e shortit për këtë çështje.

Prokurorët ‘rebelë’ janë Olsian Çela, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Arenc Çela dhe Edvin Kondili. Po ashtu do hetohen edhe Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Blerim Tominaj si dhe Besim Hajdarmataj. Këta prokurorë refuzuan hedhjen e shortit në procedimin penal në gjykim në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, të cilët ndodhen pas hekurave për një sërë akuzash.

Dosja e Emiliano Shullazit vijon të jetë një temë e nxehtë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërkohë që sot u përcaktuan emrat e prokurorëve, dy prej të cilëve janë Donika Prela dhe Gentian Osmani.

Pretencën për çështjen “Shullazi” do të jepet më 25 shtator.