TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Arrestim për tentativë vrasje. Ndalim për mbajtje armësh. Shoqërim për shpërdorim detyre.
Kronika e zezë në Shqipëri vazhdon të jetë efektive.
Tre rastet e fundit i përkasin 12 orëve të fundit, ku sipas Drejtorit për Krimet, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Josif Shtëmbari, u ndaluan “tre persona me armë, njëri prej tyre në kërkim për disa vepra penale, si dhe një tjetër për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
Samuel Ndoka, nipi 18-vjeçar i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka, u arrestua për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, pasi ai së bashku edhe me disa të tjerë plagosën aktivistin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Florian Dushkun, pikërisht ditën e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017.
Në momentin e arrestimit, Samuel Ndoka, kishte një pistoletë me shtatë fishekë. Ndaj tij rëndonin tri akuza penale nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë: "Plagosje e lehtë me dashje", "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje".
Për armëmbajtje u arrestua edhe P.M., pasi iu kap me vetë një armë pistoletë, me shtatë fishekë si dhe një krehër që e mbante në çantën e krahut me tetë fishekë.
Policia ndaloi gjithashtu edhe A. M., pasi me automjetin tip ‘Audi’, ka transportuar dhe fshehur të dy personat e sipërcituar, duke i ndihmuar për t’ju shmangur forcave të Policisë.
Shtetasi P. M., është i dënuar nga Gjykata e Rrethit Shkodër me 6 vite e 8 muaj burg për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
Edhe shërbimet e Policisë të Komisariatit nr.3, Tiranë arrestuan dy persona: D.L. (18 vjeç) për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Kanosje” dhe A.S. (23 vjeç) për “Moskallëzim krimi”. Sipas Policisë, arrestimi i këtyre 2 shtetasve u bë pasi në rrugen ”Jordan Misja”, Tiranë pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi D. L., ka tentuar të përdorë armën e zjarrit.
Në Prrenjas, në vendin e quajtur kthesa e Shënepremtes, Njësia Stravaj, gjatë kontrollit të ushtruar nga efektivat FNSH-së, specialistët e Drejtorisë për Hetimin e Krimit në Departamentin e Sigurisë Publike, bllokuan në orët e para të mëngjesit një kamion ngarkuar me 20 m3 lëndë drusore të prerë pa leje si dhe pa faturë shoqërimi ndërkohë që ndaluan dy inspektorë pyjesh pranë Bashkisë Prrenjas: O.L. (28 vjeç banues në fshatin Stravaj, me detyrë Inspektor Pyjor) dhe dhe L.L. (40 vjeç, përgjegjës i Shërbimit Pyjor Bashkia Prrenjas) për “Shpërdorim të detyrës”. (Tpz.al)