TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Sipas të dhënave të siguruara nga Tpz.al, rezulton se janë harxhuar miliona dollarë për regjistrimin e popullsisë shqiptare si dhe digjitalizimin e adresave. Por përveç shpërndarjes së fondeve publike tek kompani private për këtë shërbim, rezultatet deri tani janë pothuajse të padukshme.
Tpz.al gjurmoi paratë publike, të cilat gjatë 12 muajve të fundit kanë vërshuar lumë mbi sistemin e Gjendjes Civile dhe adresave. Nga përllogaritja që bëmë, rezulton se vitin e fundit janë akorduar rreth 12 milionë USD, pra 1 milionë USD në muaj.
Megjithatë, gabimet në gjendjen civile vijojnë të shkaktojnë jo pak probleme tek qytetarët, të cilët për një gërmë të ndryshuar, rrinë me muaj të tërë pas dyerve të gjykatave. Djali bëhet vajzë! Adoleshentja ka si vendlindje Fushë Krujën, e cila është në rrethin e... Dibrës! Një grua lind dy fëmijë, brënda dy ditësh! Një i moshuar bëhet prind! Këto janë disa nga skandalet e publikuara nga media, të cilat i referohen Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Në të shumtën e rasteve, punonjësit pretendojnë se “është gabim sistemi, apo njerëzor”.
Po përse ka gabime të tilla në sistem? Qytetarët, në pamundësi për të marrë zgjidhje në këto zyra, i janë drejtuar gjykatës. Dhe, normalisht, duan para për avokatë apo gjyqtarë. Qytetarët po paguajnë dy herë, njëherë me taska dhe njëherë në organet e drejtësisë. Më poshtë janë tenderat e zhvilluara përgjatë këtyre muajve
Tenderi “derë më derë” 7 mln USD
Tpz.al e nisi investigimin që nga plani i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Energjitikës nëpërmjet OSHEE, për regjistrimin e çdo adrese. U akorduan plot 7 milionë USD, ku të dhënat do të hidheshin në sistemin e Gjendjes Civile.
Gjatë procedurave të tenderit u ngritën dyshime se ishte i paracaktuar, pasi fitues të këtij prokurimi janë shpallur, jo një, por tre firma. Ato u bashkuan dhe mes tyre ndanë paratë. Ndërkohë, firma e katërt, mori pjesë në këtë prokurim vetëm formalisht, pasi nuk dorëzoi ofertë para anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. U shpallën fitues bashkimi i operatoreve “CSI Piemonte”, me seli në Corso, Torino, Itali; Datech sh.p.k me seli në Rr. Myslym Shyri, Tiranë dhe Çelësi sh.p.k, me seli në rrugën e Kavajës, Tiranë.
Tenderi bënte fjalë për identifikimin e abonentëve derë më derë. Qëllimi i projektit është ndërthurja e përditësimit të të dhënave të RKGJC. Megjithëse kanë kaluar disa muaj pas përfundimit të këtij tenderi, gjithkush mund të japë një opinion, pasi gabimet në Gjendjen Civile janë shtuar.
Por përveç gabimeve, në formularët që janë plotësuar nga qytetarët për adresat, ka patur disa pyetje që kërkonin të dhëna sensistive dhe private. Disa nga prej tyre ishin: Sa është sipërfaqja e shtëpisë, a jeni të punësuar, e keni shtëpinë me kredi ose jo, e deri tek pyetje sesa prej sa vitesh jeni pronar i kësaj banese. Edhe pse këto pyetje nuk ishin të nevojshme për regjistrimin e adresave, skandali thellohet edhe më tej, pasi i gjithë ky Database do të jetë në duart e OSHEE, një kompani gjysëm-shtetërore.
Por nëse OSHEE privatizohet, siç ka qënë në të kaluarën, atëherë këto të dhëna personale të qytetarëve shqiptar mund të përfundojnë në duart e kompanive të huaja, duke cënuar kështu edhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Tpz.al mëson gjithashtu, se një projekt i ngjashëm për regjistrimin e adresave, është bërë edhe nga Posta Shqiptare, në kohën e kryeministrit Sali Berisha. Ai sistem adresash, ëshë shpërndarë edhe në institucionet e tjera, përfshirë këtu OSHEE (dikur CEZ).
Tenderi 1.5 mln USD
Pak muaj më parë, Ministria e Brendshme hapi një tender me objekt “Rrjeti i komunikimit online i shërbimit të Gjendjes Civile” me fond 1.5 milionë USD. Sipas dokumenteve që disponon Tpz.al, “Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile” është dokumenti shtetëror unik, ku pasqyrohen përbërësit e gjendjes civile të çdo shtetasi shqiptar, shtetasi të huaj dhe çdo personi pa shtetësi, me banim të përkohshëm/të përhershëm në Republikën e Shqipërisë. Përditësimi i të dhënave në RKGJC bëhet nga nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile në zyrat e gjendjes civile në bashki dhe njësi administrative.
“DPGJC është pjesë e shumë projekteve prioritare që përfshijnë dixhitalizimin dhe automatizimin e shërbimeve EGOV. Në këtë kuadër gjatë vitit 2016 janë kryer investime per rritjen e kapaciteteve përpunuese sipas standarteve europiane. Rritja e informacionit të përpunuar, përmirësimet hardware dhe software, përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj shtetasve sjell dhe rritjen e kërkesave ndaj parametrave të cilat duhet të ofrojë shërbimi i lidhjes në rrjet të zyrave të gjendjes civile” - thuhet në dokumente.
3 mln USD për mirëmbajtje
Pa kaluar shumë muaj nga ky tender, Ministria e Brendshme hapi një tjetër tender. Ministri i ri, Fatmir Xhafaj, ka hapur "thesin", duke akorduar plot 3 milionë USD për mirëmbajtjen e sistemit të Gjendjes Civile. Një shifër e madhe kjo, duke qenë se bëhet fjalë vetëm për mirëmbajtje, dhe jo për krijimin e një sistemi të ri.
Tpz.al ka siguruar dokumentet e këtij tenderi. Mësohet se është hapur procedura me vlerë të lartë. "Objekti i kontratës është mirëmbajtja dhe zhvillimi i mëtejshëm i Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile” thuhet në këtë dokument.
Sipas saj, fondi limit është 303.000.000 lekë dhe kohëzgjatja e kontratës për ekzekutimin është 3 vjet nga lidhja e kontratës. Tenderi do të bëhet në datë 9 nëntor në orën 11:00./TPZ.AL/E.H

