AKTUALITET, 30 Janar 2018, 16:33

Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda nxjerr bllof Arta Markun për ekstradimin e Nazer Seitajt

Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda nxjerr bllof Arta

Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka reaguar për çështjen e ekstradimit të Nazer Seitajt në Itali. Në një prononcim për Panorama, Hajdarmataj tregon se vendimi i Gjykatës që bllokonte ektradimin ishte në sekretarinë e burgut “Jordan Misja” në Tiranë ku po mbahej Seitaj.

“Jemi në një fazë analize të rastit, si nga Krimet e Rënda, ashtu edhe nga Prokuroria e Përgjithshme dhe më vonë do të kemi një qëndrim lidhur me këtë çështje.

Nga verifikimet që kemi bërë ne si Prokurori e Krimeve të Rënda, rezulton se të dyja vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda kanë qenë të depozituara në burgun ku gjendej personi në fjalë. Sigurisht, që ai nuk mund të ekstradohej, por për këtë çështje do të kemi një qëndrim të mëvonshëm, pasi të përfundojë analiza”, tha kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Me këtë deklaratë Hajdarmataj ka nxjerrë bllof Arta Markun, sepse nga verifikimet e Prokurorisë së Përgjithshme faji iu la prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe të Tiranës, që nuk ishin koordinuar, sipas saj, me njëra-tjetrën për dy procedimet që kishin nisur për “financierin” e Habilajve.