AKTUALITET, 30 Janar 2018, 13:48

VIDEO/ Transporti i drogës nga Rotterdami në gjithë Evropën, ja si mafia italiane përdor shqiptarët

VIDEO/ Transporti i drogës nga Rotterdami në gjithë Evropën,

Mijëra ngjyra pasqyrohen në det, ku pluskojnë nën qiellin plumb dhe plotësojnë një rebus shumëngjyrësh. Janë miliona kontejnerë të vendosur në zona të mëdha sa lagje të tëra.

Jemi në Rotterdam, qytet që jeton rreth njërit prej porteve më të mëdhenj të Evropës, njëherazi dhe një nga qendrat më të rëndësishme të trafikut të kokainës, heroinës dhe armëve.

Prej këtu nisen mallra të ligjshme e të paligjshme në të gjithë kontinentin e vjetër. Këtu përqendrohen afaret në shërbim të klaneve të mafieve italiane. Pse? Sepse është e vështirë të bësh kontrolle efektivë dhe sepse ekziston një sistem korrupsioni midis punonjësve të portit që po përhapet përherë e më tepër.

“Në volumin e madh të mallrave që kalojnë, futen edhe shumë mallra të paligjshme”, shpjegon David Ellero, kreu i seksionit kundër krimit të organizuar në Europol. “Është e pamundur të kontrollosh gjithçka”, thotë  shefi i policisë holandeze, Wilbert Paulissen. “Por kemi disa sisteme të kolauduar dhe në një farë mënyre kemi arritur rezultatet të mira, sepse vitin e kaluar sekuestruam 15-16 tonë drogë. Kontejnerët evropianë janë më pak të kontrolluar, sepse vëmendja kryesore u kushtohet atyre që vijnë nga Amerika e Jugut dhe mafiet përfitojnë nga kjo. Në fakt, shpesh malli ilegal vjen përmes kontejnerëve evropianë, të cilët iu nënshtrohen më pak kontrolleve”.

Problemi për prokurorin kombëtar antimafia Federico Cafiero de Raho vjen nga rëndësia që i jepet fitimit në vend të një aksioni të vërtetë antimafia. “Në portin Rotterdamit ka sisteme kontrolli të përparuar, megjithatë tentohet të shihet më tepër rezultati ekonomik dhe në veçanti dëmi që mund të sjellë ndalimi i një kontejneri. Të ndalosh 1000 kontejnerë do të thotë të vonosh dorëzimin, të vonosh dorëzimin do të thotë të krijosh probleme me fitimin”. Për të kapërcyer sistemin e kontrollit shpesh përdoret korrupsioni. “Kemi një seri problemesh integriteti në repartin e dërgesave”, thotë Koen Vaskuil. “Këtu malli dërgohet me lehtësi, ndaj kriminelët janë të bindur se edhe dërgesat e tyre mund të kalojnë pa shumë probleme. Ja pse malli dhe dërgesat e tyre rriten përherë e më tepër. Për shembull, ka pasur deri në një ton kokainë në një kontejner të vetëm”.

Edhe Paulissen konfirmon korrupsionin: “E dimë që ka korrupsion në port dhe ndershmërisht edhe në masë më të madhe krahasuar me vitet e kaluar. Shohim që përdoren edhe mënyrat e vjetra të transportimit të drogës për t’ua hedhur kontrolleve, për shembull duke e fshehur në kontejnerët e ushqimit”.

“Kanë kapur edhe disa holandezë që merrnin pará për të mos bërë kontrolle dhe për të falsifikuar dokumentet”, thotë Jaap Koijker, sipërmarrës në sektorin e luleve që ka punuar për shumë vite me eksponentë të ‘ndranghetas. “Bëhet fjalë për operatorë porti. Në këtë xhiro punojnë shumë turq, shqiptarë, serbë dhe persona me origjinë nga Karaibet dhe Antilet”. Prania e krimit të organizuar italian nuk vihet re. Aleanca e ngushtë me kartelet shqiptare, zbuluar nga policia holandeze, bën të mundur që shqiptarët të bëjnë punën e pistë edhe për italianët.

“Para dy vitesh”, disa shqiptarë u arrestuan në portin e Rotterdamit”, tregon Koen Vaskuil, autor i librit “Maffia Paradjis”. “Kur u zbuluan, kishin pasaporta false italiane dhe kjo tregon që pas tyre ishte mafia italiane. Hetimet kanë zbuluar që trafikantët e drogës të ‘ndranghetas punojnë përmes portit të Rotterdamit. Për shembull, një broker i drogës, Vincenzo Roccisano, punonte bashkë me një grua në Holandë dhe së bashku importuan 150 kile kokainë”.

Paulissen e pranon që është e vështirë të gjurmosh praninë e mafiozëve italianë në port: “Mafia italiane është aty dhe punon me sasi të vogla droge dhe ky mund të jetë shkaku pse nuk arrijmë t’u gjejmë gjurmët në port apo në importet e sasive të mëdha. Ata i ndajnë ngarkesat e drogës në porcione të vegjël dhe i shpërndajnë në Evropë. Konkluzioni im është që ata janë të specializuar në dërgesat e vogla. Nuk bëhet fjalë vetëm për kokainë, por edhe për droga sintetike”.