TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kosova arrin një sukses mjaft të rëndësishëm në transfertën e Maltës, që është e para fitore e tyre jashtë në Ligën e Kombeve. Një fitore fantastike e “dardanëve”, të cilët triumfuan duke shtypur Maltën, me shifrat 0-5.
Sfida nisi mjaft mirë, teksa pas 15 minutash, ishte Vedat Muriqi, i cili shënoi pas një gabimi të vendasve në mbrojtje. Pjesa e parë vijoi me raste për Kosovën, e cila pati disa mundësi të mira me Valon Berishën, por që nuk u konkretizuan. Skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 0-1.
Në fraksionin e dytë, të besuarit e Shaland vijuan dominimin e tyre dhe brenda 16 minutave arritën të shënonin plot katër herë. Fillimisht ishte Kololli, i cili shënoi në minutën e 70-të një gol mjaft të bukur. Më pas momenti ishte për Donis Avdiajn, teksa erdhi nga stoli, për të shënuar dy herë, në minutat 78-të dhe 80-të. Milot Rashica mendoi t’i vinte qershinë mbi tortë me golin e pestë, duke mbyllur çdo gjë.
Ndërkohë nga ana tjetër, rivali i Kosovës në grup, Azerbajxhani, nuk gaboi në shtëpi dhe triumfoi pastër ndaj Ishujve Faroe me shifrat 2-0. Madatov dhe Nazarov ishin lojtarët që shënuan për azerët, të cilët tashmë ngjiten në kuotën e 9 pikëve.
Tashmë, ndeshja që do të luhet ditën e martë midis Kosovës dhe Azerbajxhanit kthehet në “jetike”, pasi çdo gjë do të vendoset në atë sfidë. “Dardanëve” i mjafton të mos humbasin për të ruajtur vendin e parë dhe për të siguruar ngjitjen në Ligën C, që do të ishte diçka historike për Kosovën.