AKTUALITET, 17 Nëntor 2018, 18:15

Panuçi gjen mbrojtës krahu në Argjentinë, nisin kontaktet me Tomas Guidara

Trajneri Kristian Panuçi është gati të grumbullojë me kuqezinjtë një tjetër talent, i cili luan në Argjentinë. Lajmin e bën të ditur shtypi argjentinas, konkretisht gazeta “Ole”, që shkruan se Tomas Guidara kërkohet nga Shqipëria.

Ai është 22 vjeç dhe luan në pozicionin e mbrojtësit të djathtë. Aktivizohet me Belgranon dhe ka prejardhje shqiptare, ndaj dhe trajneri Panuçi e ka evidentuar dhe kërkon ta bëjë pjesë të kuqezinjve.

Guidara në fakt ka lindur në Kordoba dhe sipas artikullit të “Ole”, ka përpjekje nga Federata Shqiptare e Futbollit për ta marrë këtë lojtar në kombëtaren shqiptare, madje ka pasur kontakte edhe me agjentin e lojtarit, Horacio Rosi.

Duket se trajneri italian ka bërë kërkime serioze në gjithë botën për të gjetur lojtarët që kanë rrënjë shqiptare. Gjithçka është në dorë të vetë lojtarit, nëse dëshiron të veshë fanellën kuqezi apo jo.